TIRANË- Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, për një masë më të butë sigurie se ajo e arrestit me burg.
Goro akuzohet për “shpërdorim detyre” në dy raste dhe aktualisht ndaj tij janë caktuar dy masa sigurie lidhur me abuzimin e bashkisë Himarë në njohjen e pronave në bregdet.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-kreun e Himarës, Jorgo Goro.
Në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Himarës, ai ka përcjellë pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara duke tjetërsuar një sipërfaqe tokë nga pronësie e shtetit në pronësi të subjekteve private.
Këto sipërfaqe prej rreth 10 mijë metra katror janë sekuestruar nga SPAK dhe si përfitues fundor kishin ish-deputetin Artan Gaçi.
Gjithashtu, SPAK ka dyshime se Goro nuk ka deklaruar një banesë në pronësi të tij. /abcnews.al