Kërkohet shtyrja e afatit për targat, Qeveria e Kosovës: E kemi për detyrim sundimin e ligjit

schedule11:11 - 23 Tetor, 2022

schedule 11:11 - 23 Tetor, 2022

Nëntë ditë para përfundimit të afatit për targat ilegale, Qeverisë së Kosovës i kërkohet që mos të shtyjë sërish vendimin për konvertimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe në RKS. Pavarësisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrje të afatit edhe për dhjetë muaj, pozitë, opozitë dhe njohës politik, kërkojnë që vendimi të hyjë në fuqi më 1 nëntor. Nga ana tjetër, nga ekzekutivi thonë se kanë obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe zbatimin e vendimeve qeveritare.

Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, thotë për KosovaPress, se ekzekutivi nuk duhet të bëjë tolerime për shtyrje të afatit. Sipas tij, Serbia nuk është palë konstruktive për të kuptuar shtyrjen si veprim të vullnetit të mirë.

“Njëherë është shtyrë ky afat. Ata të cilët e kanë planifikuar shtyrjen që është pala jonë dhe bashkësia ndërkombëtare, duhet kuptuar se nuk duhet të bëhen tolerime që e vënë në pikëpyetje vet seriozitetin e normalizimit të marrëdhënieve. Serbia nuk është palë konstruktive për të kuptuar shtyrjen si veprim të vullnetit të mirë, por si veprim të vullnetit të dobët dhe pamundësisë së realizimit të premtimeve dhe garancioneve që jepen nga bashkësia ndërkombëtare”, thotë Abazi.

Përkrahje ekzekutivit për vendimmarrje lidhur me targat ilegale i jep edhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj. Ai thotë për KosovaPress, se institucionet që janë të thirrura për zbatimin e ligjit duhet të reagojnë për implementimin e vendimit, sidoqë reagojnë qytetarët serbë në Kosovë.

“Vetëm kemi pasur zgjatje të këtij vendimi disa herë nga Qeveria e Kosovës, nuk ka arsye më që ky vendim të zgjatet. Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet që janë të thirrura për zbatimin e ligjit duhet të reagojnë, vendimin të implementojnë sido që reagojnë qytetarët atje, pasi të njëjtit kanë pasur kohën e mjaftueshme që tabelat t’i regjistrojnë në shtetin e Kosovës dhe regjistrimi ka qenë falas. S’ka arsye tjetër që qeveria të pres dhe të zgjatet vendimi për një çështje krejt teknike. Çështja e dialogut është tjetër dhe nuk duhet të ndërlidhet fare me çështjen e targave, pasi është një çështje teknike”, thekson Qalaj.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, deklaron se vendosja e datave dhe shtyrja e tyre e dëmton seriozitetin e shtetit të Kosovës.

“Vendosja e datave dhe shtyrja e datave e dëmton seriozitetin e shtetit të Kosovës. Këtë pjesë duhet të kemi kujdes dhe qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme”, thotë ai.

Më insistues në zbatimin e vendimit për targat ilegale është njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci, i cili thotë se të njëjtat duhet të hiqen përfundimisht nga qarkullimi në territorin e Kosovës.

“Zgjidhja e vetme është zbatimi i marrëveshjes së Brukselit. Kanë qenë pesë vite afat që iu janë dhënë serbëve të Kosovës për të bërë këtë transferin e tabelave. Tabelat ilegale duhet përfundimisht të hiqen nga qarkullimi në territorin e Kosovës”, thotë ai.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në një përgjigje për KosovaPress, thotë se i kuptojnë shqetësimet dhe brengat e aleatëve ndërkombëtar për çështjet e sigurisë dhe paqes, mirëpo kanë obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe vendimet qeveritare.

“Ne i kuptojmë shqetësimet dhe brengat e zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatik edhe përfaqësuesit amerikan për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar dhe i ndajmë po ato me të, sepse siguria e paqja janë vlera dhe interes jetik e i përbashkët. Njëkohësisht, ne kemi për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën. Nuk është data 31 e as 30 tetor sot. Jemi në kuadër të fushatës për konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS. Ju bëjmë thirrje përsëri qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat duke përfituar nga lirimi tatimor e doganor”, thotë Kryeziu.

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Esocbar gjatë qëndrimi të tij në Kosovë këtë javë, kërkoi që vendimi për targat ilegale të shtyhet edhe për dhjetë muaj të tjerë, në mënyrë siç ka thënë t’iu jepet mundësi serbëve lokal t’i konvertojnë ato në RKS .

Qeveria e Kosovës një herë ka shtyrë afatin për targat ilegale për 1 muaj me kërkesë të SHBA-së, si pasojë e bllokimit të rrugëve në veri të Kosovës nga serbët lokal.

Afati prej dy muajsh për targat ilegale ka nisur më 1 shtator dhe përfundon me 31 tetor. Ekzekutivi ka paraparë shumë lehtësira për konvertimin e tyre në RKS, mirëpo interesimit deri tani ka qenë shumë i vogël.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!