“Kërkohet një varr”, Mesila Doda për të zhdukurit në diktaturë: Koha për t’u shkëputur nga e kaluara

schedule20:35 - 27 Nëntor, 2021

schedule 20:35 - 27 Nëntor, 2021

Emisioni VETTING/ Nga Luljeta Progni

Përsa kohë nuk ka një argument ligjor për refuzimin e kërkimit të të zhdukurve me forcë në komunizëm, atëherë le të marrim në konsideratë perceptimin e familjarëve të viktimave të diktaturës. Ata kanë tashmë të drejtë të besojnë se kërkimi i familjarëve të tyre të zhdukur me forcë nga regjimi komunist, pengohet nga ish-zyrtarë të sistemit diktatorial që janë ende në politikë e në sistemin e drejtësisë. Ata besojnë gjithashtu se bijtë, nipërit dhe mbesat e drejtuesve të regjimit komunist që drejtojnë Shqipërinë prej 30 vitesh, nuk janë të interesuar të kërkojnë e të zbulojnë krimin e etërve të tyre.

Edhe nëse nuk e marrim në konsideratë këtë perceptim të palës së dëmtuar, atëherë është minimalisht neglizhencë e të gjitha institucioneve, partive politike dhe të gjithë faktorëve të shoqërisë shqiptare për rreth 6 mijë persona të zhdukur me forcë gjatë diktaturës komuniste.

Për 30 vite të tranzicionit, shoqëria shqiptare dhe institucionet nuk morën asnjë hap për tu përballur me të shkuarën komuniste. Deputetja Mesila Doda mendon se është koha për të krijuar një moment të ri politik, për t’u  shkëputur nga e kaluara. Por çfarë e pengon politikën dhe institucionet për të ndërmarrë hapat e duhur drejt dekomunistizimit.

Këtë tetor Komisioni evropian publikoi progres-raportin për Shqipërinë. Një ndër kritikat e Brukselit për Shqipërinë ishte edhe çështja e të zhdukurve gjatë diktaturës.

“Gjatë periudhës së raportuar, zyrat e prokurorëve dështuan të kryejnë ndonjë hetim “ex officio” në rastet e personave të humbur gjatë kohës së komunizmit. Zgjidhja e rasteve ka mbetur në nivele të ulëta, pjesërisht edhe për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe burimeve. Nevojitet vullnet politik për të vendosur një mekanizëm efikas bashkëpunimi ndërmjet institucioneve përkatëse dhe për të rritur ndërgjegjësimin publik për këtë çështje”. 

Fshehja e krimeve të komunizmit, është një histori që na bën me turp para Bashkimit Evropian, na bën me turp para të gjitha vendeve të lindjes komuniste. Na bën me turp para fëmijëve tanë që nuk mundëm e mesa duket nuk do të mundemi t’iu tregojmë atë pjesë të errët të historisë tonë. Krimi i shtetit  mbi qytetarët e tij në diktaturë, nuk gjen shpagim as në drejtësinë e këtij sistemi.

Janë 6 mijë njerëz që ndërruan jetë nën torturë ose të ekzekutuar, në kampe internimi apo qeli burgjesh të diktaturës. Nuk janë thjesht numra, por makthi, njolla e zezë e së shkuarës që duket se do të na ndjek edhe në të ardhmen. Shoqëria duhet të ndërgjegjësohet, të nxisë vullnetin pasiv politik, që tenton të shpalosë imazhin e një shteti demokratik, kur themelet e saj janë të gjakosura. Krimet e të kaluarës, nuk mund të hidhen në lumë e të groposen siç u bë me dhjetëra trupa shqiptarësh të pafajshëm, sepse pa zgjidhur problemet me të shkuarën, nuk ka asnjë mundësi që Shqipëria, shoqëria shqiptare të ndërtojë shtetin e së drejtës./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!