Kërkohet burg për ish-gjyqtarin Admir Thanza

schedule13:00 - 17 Maj, 2019

schedule 13:00 - 17 Maj, 2019

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, i akuzuar për falsifikim te formularit te dekriminalizimit.  Ish-gjyqtari u shkarkua nga Vetttingu pasi u zbulua se ka fshehur një dënim të formës së prerë në Itali me 40 ditë burg dhe 150 mijë lireta gjobë.

Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Admir Thanza, i akuzuar për falsifikim të vulave, stampave ose formularëve. Në  datën 31 maj do të dëgjohet mbrojtja dhe pritet të jepet vendimi i gjykatës.  Sipas organit te akuzës, Thanza ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit.

Gjatë procesit të vetingut, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, kishte zbuluar se ish- gjyqtari Thanza ishte dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata Italiane me 40 ditë burg 150 mijë lireta gjobë për vjedhje në një supermarket 20 vite më parë.

Këtë dënim ai nuk e kishte pasqyruar në formularin e vetëdeklaruar sipas ligjit të dekriminalizimit.

Por ish-anëtari i Gjykatës së Lartë kishte deklaruar asokohe se nuk e kishte kryer këtë vepër penale, por kishte marrë përsipër veprimin e ish-kunatës së tij për të shpëtuar jetën e nipit, që kurohej në Itali nga sëmundje e rëndë.

Ndërkaq në pretencën e relatuar para gjykatës, Prokurori Gentan Abazi u shpreh se ish-gjyqtari kishte ngritur disa pretendime, ku për secilin prej tyre është dhënë sqarim.

Thanza ka dekoruar se ka dëshmi të pastër penaliteti, të marrë nga Italia, por sipas prokurorit në vendin fqinj lëshohen dy dëshmi penaliteti, njëra që është për përdorim personal si ajo që ka Thanza dhe një tjetër që bëhet me kërkëse të autoriteteve ligjzbatuese, ku janë të zbardhura të gjitha dënimet që ka marrë i pandehuri. Admir Thanza pretendon se vendimi Italian nuk është vendim i një gjykate penale, por sipas organit të akuzës ai duhet të kishte deklaruar arrestimin e tij në flagrancë.

DSIK e nxori të papërshtatshëm për të vazhduar detyrën gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Admir Thanza, i cili u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!