Kërkesat për azil, Shqipëria del nga “lista e zezë”

schedule22:21 - 20 Mars, 2018

schedule 22:21 - 20 Mars, 2018

Shqipëria nuk renditet më ndër vendet me numrin më të lartë të azilkërkuesve në Europë. Raporti i fundit i Institutit Europian të statistikave tregon një tendencë në rënie, e verifikuar kryesisht në Francë, një nga “destinacionet” e preferuara të refugjatëve.

Shqipëria ka dalë nga grupi i vendeve me numrin më të lartë të azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian. Në listën e hartuar nga Eurostat për vitin 2017, vendi ynë renditet në pozicionin e shtatë. Në tërësi numri i shtetasve shqiptarë që kanë kërkuar azil vitin e kaluar ka qenë 22 mijë e 75 njësi.

Ajo që bie në sy është se Gjermania dhe Anglia nuk janë më destinacionet e preferuara të shqiptarëve që kërkojnë një jetë më të mirë në Perëndim. Të dhënat e fundit tregojnë se vëmendja është zhvendosur tek Franca, Irlanda dhe Islanda, ku kërkesat për azil kanë qenë respektivisht 11 mijë e 395, 280 dhe 255. Sa i takon Francës, për vitin 2018 autoritetet vendase kanë regjistruar një rënie me 34 për qind të azilkërkuesve shqiptarë. Në një takim me zëvendës ministren Romina Kuko, ministri i Brendshëm francez Gerard Collomb ka deklaruar se bëhet fjalë për një tendencë në rënie të fenomenit të azilkërkimit nga shtetasit shqiptarë. Sipas zyrtarit të lartë, nga mesi i shtatorit 2017 deri në janar 2018 kërkesat për azil kanë qenë rreth 470. Ndërkohë, lista me vendet që prodhojnë më shumë emigracion kryesohet nga Siria, Iraku dhe Afganistani, të ndjekura nga Nigeria, Pakistani dhe Eritrea. Ndërsa vendet që kanë importuar më shumë emigrantë janë Gjermania, Italia dhe Franca. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!