Ndërtimi i hapësirave teknologjike në qytetet kryesore të Shqipërisë do ti japin një frymëmarrje të re jo vetëm sipërmarrjes por edhe të rinjve të angazhuar në këtë fushë.
I pranishëm në Akademinë e Teknologjisë, e cila vjen si partneritet mes Institutit “Harry Fulz” dhe Institutit të Teknologjisë Rochester në New York, kryeministri Edi Rama renditi disa nga projektet kryesore, duke u ndalur edhe tek Parku Teknologjik Durana, i cili pritet të mundësojë tërheqjen e kompanive apo start up.
“Përfundimit i procesit për parkun e madh teknologjik Durana, që është një hapësirë e re me një legjislacion të posaçëm që do të mundësojë tërheqjen e shumë kompanive apo startup-eve për të zhvilluar aktivitet e tyre në territorin e atij parku. Vlora Tech Space në qendër të Vlorës ku një godinë dikur e papërdorur në mes të sheshit, por transformohet në një hapësirë që do të vihet në një masë të madhe në funksion pikërisht të teknologjisë..Po ashtu do të vazhdojmë me TUMO-t dhe në Shkodër dhe Elbasan”, tha Rama.
Duke iu referuar kërkesave të larta të sipërmarrjeve për punonjës të specializuar në fushën e teknologjisë, kreu i qeverisë thotë se këto hapësira do të përgatisin të rinjtë për tregun e punës ku edhe pagat janë rritur ndjeshëm.
“Po krijohet një ekosistem i tërë për të mundësuar studimin e teknologjisë dhe punësimin e mirë paguar falë njohjes së teknologjisë.”
Teksa vlerësoi partneritetin me shtetet e bashkuara të Amerikës, kryesisht në fushën e arsimit Edi Rama, tha se tashme vendi ynë po krijon të gjitha kushtet që të rinjtë të shkollohen në Shqipëri, e diploma e tyre të njihet njëjtë si përtej oqeanit.,
“Ky realitet i ri që krijohet këtu sot të mësohet edhe të mbahet parasysh edhe nga shumë vajza dhe djem, edhe nga shumë prindër që duan më të mirën për fëmijët e tyre që ta dinë që nga sot në Shqipëri, në Tiranë ka një derë të re të hapur për të gjithë fëmijët që kanë ambicie dhe vullnet për të hyrë në botën e teknologjisë që në fund të studimit të marrin një diplomë e cila është e njëjta diplomë që përndryshe do duhet ta merrnin duke shkuar në Shtetet e Bashkuara dhe me shpenzime marramendës”.


