Nëna e Alexei Navalny, Lyudmila ka deklaruar se e ka parë trupin e djalit të saj. Ajo akuzon autoritetet ruse se i kanë bërë presion që të mbajë një ceremoni private varrimi. Në një video në Youtube, nëna e Navalnyt u shpreh se e kishin lejuar që të shihte trupin e të birit në morg mbrëmjen e së mërkurës.
Ajo pretendoi se autoritetet po vendosnin kushte për varrimin, përfshirë vendin, kohën dhe mënyrën e varrimit të tij. “Duke më parë në sy, më thonë se nëse nuk jam dakord për një varrim të fshehtë, do të bëjnë diçka me trupin e djalit tim. Hetuesi më tha: “Koha nuk është në anën tuaj, kufoma po dekompozohet”.
Sakaq, ekipi i Navalny ka zbuluar se certifikata e vdekjes thotë se lideri i opozitës ruse vdiq nga shkaqe natyrore. Udhëheqësi i opozitës ruse vdiq në burg të premten e kaluar në moshën 47-vjeçare. Gruaja e Navalnyt ka akuzuar presidentin rus Vladimir Putini se qëndron pas vdekjes së bashkëshortit të saj.
Ajo ka deklaruar se e kanë helmuar me një agjent nervor Novichak dhe se e fshehin trupin e tij në mënyrë që gjurmët e helmit të zhduken nga trupi i tij. Ajo u zotua gjithashtu se do të bëjë publike emrat e personave të përfshirë në vdekjen e bashkëshortit dhe arsyen pse ai dha frymën e fundit në “burgun e ujkut”./abcnews.al