Kërcënohet me jetë ministri belg i Drejtësisë, dyshohet se autorët donin ta rrëmbenin, pranë shtëpisë gjendet makinë dhe armë

schedule11:01 - 25 Shtator, 2022

schedule 11:01 - 25 Shtator, 2022

Një hetim është duke u zhvilluar aktualisht pas kërcënimeve ndaj ministrit belg të Drejtësisë, Vincent Van Quickenborne, ka konfirmuar të shtunën zyra e prokurorit federal.

Policia federale e Belgjikës ka vendosur ta marrë politikanin nën mbrojte  të përforcuar dhe ai do të duhet të anulojë pjesëmarrjen në disa ngjarje në të cilat do të merrte pjesë javën e ardhshme.

“Prokuroria Publike Federale “është informuar gjatë javës së fundit për një kërcënim të mundshëm për Ministrin e Drejtësisë, Vincent Van Quickenborne.  Menjëherë u hap një hetim dhe iu besua një gjyqtari hetues të rrethit gjyqësor të Flanders Perëndimore”, njoftoi Prokuroria.

“Elementet e para të hetimit treguan shpejt se ky kërcënim duhet marrë seriozisht. Qendra Kombëtare e Krizave mori menjëherë masat e nevojshme për vendosjen e ministrit nën masa të përforcuara sigurie. Nuk do të jepen detaje për këto masa. Nisur nga rrethanat, ministri i  Drejtësisë nuk do të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh të planifikuara për ditët në vijim”, konfirmoi prokuroria.

Një makinë me targa holandeze u gjet pranë shtëpisë së ministrit të Drejtësisë, Vincent Van Quickenborne. Në makinë kishte mes të tjerash një armë zjarri të rëndë dhe lëndë djegëse.

Por pse po synohet Van Quickenborne?

“Ministri jonë i  Drejtësisë sigurisht që po ndihmon për të rritur luftën kundër mafies së drogës”, thotë gazetarja e VTM NIEUWS, Rosalie Pieters. 

“Për shembull, ju keni dosjen e njohur të SKY ECC, ku gjykata arriti të thyente telefonat e koduar që kriminelët e drogës përdornin për të shkëmbyer informacione”. 

Sipas Pieters, kjo rezultoi me shumë informacione dhe shumë arrestime, edhe deri në Holandë.

Të dyshuarit

Ndërkohë, policia ka mundur të arrestojë tre të dyshuar (20, 29 dhe 48 vjeç) në Hagë të Holandës, të cilët thuhet se janë të lidhur me mjedisin holandez të drogës. Një i dyshuar i katërt është ende në arrati. Hetuesit dyshojnë se kanë dashur të rrëmbejnë ministrin, pasi në automjetin e gjetur pranë shtëpisë së tij përveç armëve janë gjetur edhe litarë.

Për momentin, Van Quickenborne është përgjigjur vetëm përmes rrjeteve sociale.

“Si baba, shqetësimi im i parë tani është për gruan dhe fëmijët e mi. Ata nuk e kanë zgjedhur këtë, por duhet të mbajnë pasojat. Çdo prind do të kuptojë se kjo është e rëndë për t’u përballuar. Ne përpiqemi t’i mbrojmë fëmijët sa më shumë nga ajo që po ndodh.  Ne do të vazhdojmë të luftojmë krimin e organizuar, me më shumë fuqi punëtore dhe burime se më parë”.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!