Kërcënimi i BE-së për ashpërsimin e eksportit të vaksinave mbështetet nga qeveritë europiane

schedule14:57 - 18 Mars, 2021

schedule 14:57 - 18 Mars, 2021

Shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka kërcënuar se do bllokojë eksportin e vaksinave në vendet me norma më të larta vaksinimi duke përfshirë Britaninë,  për të mbrojtur qytetarët e saj që po përballen me një valë të tretë të pandemisë, shkruan euronews

Në një takim të diplomatëve të BE-së që u zhvillua menjëherë pas paralajmërimit të von der Leyen, Gjermania, Italia, Franca dhe Danimarka mbështetën qëndrimin e Komisionit për të marrë masa më të ashpra për kontrollin  e eksportit, sipas 3 diplomatëve dhe zyrtarëve që morën pjesë në takim.

“E gjitha kjo situatë vjen pas zhgënjimit në rritje me AstraZeneca dhe të qënurit nën presion për të bërë diçka në lidhje me të.

Ne nuk kemi vaksina të mjaftueshme, ne eksportojmë si të çmendur pa marrë asgjë, ”tha një prej diplomatëve që mori pjesë në mbledhje.

Një diplomat tjetër tha se arsyeja kryesore e qëndrimit të BE-së ishte prodhimi i ulët i AstraZeneca. Kompania anglo-suedeze tha javën e kaluar se kishte për qëllim të dorëzonte në BE 100 milion doza të vaksinës së saj deri në fund të qershorit, në vend të 300 milion, duke përmendur problemet e prodhimit dhe kufizimet e eksportit.

Zyrtarët e BE-së kanë thënë se AstraZeneca nuk mund të eksportojë vaksina të prodhuara në fabrikat britanike sepse ajo ka një kontratë furnizimi me Britaninë që i jep përparësi tregut të vendit, raporton abcnews.al

Një dërgesë  në Australi e vaksinave AstraZeneca u bllokua në fillim të marsit nga Italia, në marrëveshje me Komisionin e BE-së. Të gjitha kërkesat e tjera janë miratuar deri më tani për një total prej mbi 40 milion dozash të eksportuara në dhjetëra vende që nga 30 janari.

Turizmi i vaksinës

Një nga diplomatët dhe një zyrtar i BE-së  thanë se masa ishte kryesisht një paralajmërim për Britaninë, por gjithashtu kishte të bënte me vendet që tregtonin vaksina për turistët.

Ndërsa ata nuk përmendën asnjë nga këto vende, ka pasur raporte të Emirateve të Bashkuara Arabe  që ofrojnë doza vaksinash  për të huajt.

“Është çështje drejtësie,” tha një zyrtar i BE-së.

Kërcënimi vlen edhe për Shtetet e Bashkuara, të cilat deri më tani kanë ndaluar eksportin e vaksinave në BE. Zyrtari tha se BE ishte gjithashtu e shqetësuar për furnizimin e vaksinave Johnson & Johnson nga SHBA-ja pasi Uashingtoni po i jepte përparësi amerikanëve përpara se të lejonte eksportet, raporton abcnews.al

Kompania amerikane ka degën e saj edhe në Holandë, por vaksinat duhet të transportohen në SHBA për t’u vendosur në shishe sipas kontratës së furnizimit J&J të nënshkruar me BE-në.

Shpërndarja e vaksinave në  BE ka qenë e ngadaltë krahasuar me kombet e tjera të pasura, me Britaninë, SHBA-në dhe Emiratet e Bashkuara Arabe që janë shumë më përpara, pjesërisht falë vaksinave të importuara nga BE. s.ba/abcnews.al