Kërcënimi final i Sali Berishës/ Doktori zhbën vetingun, rikthen në sistem Gjin Gjonin, Llallën e Ndojën

schedule15:07 - 9 Prill, 2025

schedule 15:07 - 9 Prill, 2025

Plani i Berishës për zhbërjen e drejtësisë, amniston dhe rikthen në sistem Gjin Gjonin, Adriatik Llallën e Arian Ndojën. Doktori deklaroi se të gjithë magjistratët e shkarkuar  nga vetingu, nuk do u njihen vendimet, pasi ishin hakmarrje ndaj tyre. 

“Gjykatësit dhe prokurorët që u përballën dhëmb për dhëmb me krimin dhe u larguan nga detyra me vetingun gjueti shtrigash, ata që dhanë dënime përjetë për bandat e qeverisë socialiste, ata janë sot jashtë institucioneve si hakmarrje për ta. Të gjitha këto, marrin fund! Unë besoj plotësisht tek ju.”

Listat e kandidatëve të doktorit, nuk përmbajnë vetëm ish-magjistratë të shkarkuar nga Vetingu, por edhe familjarë të Çapjave e Elvis Rroshit. Ai paralajmëroi se kriminelët do i ndjekë këmba këmbës, deri në Ugandë, pasi në Google i sipas tij Shqipëria del vend i pasigurt.

“Transformim rrënjësor në fushën e rendit dhe sigurisë, me besim të plotë se do jetë një nga reformat më të suksesshme. Kontejnerët me euro shkatërrojnë çdo konkurrencë këtu, ndaj nuk vijnë investitorët, madje edhe kur kërkojnë në Google u del se është vend i pasigurtë, e sugjeronte që mos shko.

Ndaj dhe beteja jonë do jetë me një motiv: zero tolerancë. Kudo që të jenë, ta kenë të qarta, në Dubai apo Uganda, në Aruba apo Afrikë të Jugut, ata do gjenden, do arrestohen dhe do vihen para drejtësisë shqiptare.”

Por, doktori paralajmëroi edhe një reformë për Policinë e Administratën. Ndryshe nga drejtësia, ka një plan tjetër, reprezaljen.

“Por e thashë dhe e them prapë, nuk mund të ketë asnjë mëdyshje se ne do i japim përgjigjen më të merituar kësaj situate. Nga organet e Policisë së Shtetit do të largohen që të gjithë ata që janë të inkriminuar. Nga administrata shtetërore do dalin para ligjit të gjithë ata të cilët kanë mbajtur lidhje me krimin si dhe të korruptuarit.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!