Kërcënimet për luftë, Fino: Asnjë shqiptar nuk është larguar ende nga Ukraina

schedule21:19 - 14 Shkurt, 2022

schedule 21:19 - 14 Shkurt, 2022

Asnjë shqiptar nuk është larguar ende nga Ukraina pavarësisht thirrjes së ministrisë së Jashtme, teksa pritet që lufta të shpërthejë nga momenti në moment.

Në një intervistë në “Log.” me Endri Xhafon, zv.ministrja e Jashtme, Megi Fino u shpreh se është një numër i vogël qytetarëve shqiptarë që ndodhen në shtetin ukrainas. Zv.ministrja tha se pas vënies së numrave të kontaktit disa qytetarë i kanë telefonuar, por vetëm për t’i falenderuar dhe ende asnjë nuk ka lëvizur.

“Është një numër i vogël shqiptarësh atje. Gjej rastin të bëj thirrje që ata të shfrytëzojnë mundësinë të largohen. Së bashku me ambasadën në Varshavë që mbulon edhe Ukrainën kemi publikuar konktakte, për ndihmë. Është një numër i vogël qytetarësh.

Në numrat e telefonit  që i kemi publikuar, ka pasur disa shtetas që na kanë kontaktuar, na kanë falënderuar, por nuk kemi pasur asnjë kërkesë konkrete nga dikush prej tyre për t’u larguar nga Ukraina”, u shpreh Fino.

E pyetur nëse kanë një plan rezervë nëse situata agravon, zv.ministrja theksoi se nuk bëhet fjalë për evakuime, por këshillohen që të largohen.

“Për sa i përket masave, ne ende shpresojmë që të ketë një zgjidhje diplomatike. Urojmë që të mos ketë përshkallëzim. Nuk bëhet fjalë për një evakuim. As SHBA nuk ka bërë thirrje për evakuim. Ne i këshillojmë të largohen shqiptarët atje. Dua të theksoj se kjo thirrje është shumë e rëndësishme. Parandalimi është më me vend, se përballimi i pasojave. Kemi vënë në dispozicion disa numra kontakti. Situata është e paqëndrueshme, jemi në komunikim me aleatët”, u shpreh ajo g.v/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!