Kërcënime dhe shantazhe online/ Shefi i Krimit Kibernetik: Do godasim grupe që operojnë në ‘Telegram’, do ketë arrestime

schedule23:50 - 26 Mars, 2024

schedule 23:50 - 26 Mars, 2024

SHQIPËRI-Platformat online dhe avancimi i mjeteve teknologjike e ka lehtësuar ndjeshëm komunikimin mes njerëzve, por paralelisht me këtë janë shtuar fenomene të tjera si kërcënimet apo shantazhet.

Shqipëria, si çdo vend tjetër, nuk ka qenë imune ndaj kërcënimeve kibernetike dhe fenomeneve të tilla, që marrin “jetë” dhe shpërndahen përmes platformave dhe teknologjisë online.

Shefi i sektorit të Hetimit të Krimit Kibernetik në Tiranë, Klodian Bilushi, i ftuar në “Ora e Fundit” tha se prej kohës se krijimit të këtij seksioni, shumë persona kanë përfunduar në pranga për shantazhe, përndjekje apo dhe kërcënime me karakter kibernetik.

Shantazhet dhe përndjekjet online do t’i përkufizonim si një grup i caktuar, që duke hyrë me profile false komunikojmë me personin e dëmtuar duke i kërkuar foto apo video të tyre. Kemi patur shumë raste, që ky sektor është krijuar dhe ka shumë persona të arrestuar dhe vazhdojmë të sensibilizojmë për këtë fenomen. Raste për thirrje ekstremiste, për terrorizmin po flasim, nuk kemi pasur, por këto fenomene janë të monitorueshme në 24 orë në shtatë ditë”, tha ai.

I pyetur se ku operojnë grupet, të cilët shpërndajnë materiale të dhunshme, shpeshherë me përmbajtje pornografike ku protagonistë janë të mitur, z. Bilushi dha këtë përgjigje: “Në Telegram, të cilët nëpërmjet njeri-tjetrit duke hedhur materiale, të cilat i marrin nëpër portale të tjera që materiali i tyre nuk është autentik. Ka materiale dhe pornografi me të mitur dhe po ndiqen me rigorozitet nga ana jonë. Do ketë rezultate shumë shpejt edhe për këto grupe dhe do ketë të arrestuar”, theksoi ai duke shtuar se do ketë arrestime për këto grupe, të cilat nxisin dhunë dhe përhapin materiale me përmbajtje shantazhuese: “Do ketë të arrestuar persona që administrojnë këto grupe dhe që janë anëtarë të këtyre grupeve. Sipas informacioneve tona, këto persona janë brenda dhe jashtë territorit shqiptar”, tha ai.

Gjatë diskutimit në studio, Bilushi tha se shumë aplikacione në botën e teknologjisë duhet të jenë të ndaluara tek adoleshentët, pasi sipas tij nxisin dhunë.

Ai shtoi se legjislacioni i Shqipërisë për luftimin e këtyre fenomeneve është i mirë, por shtoi se duhen bërë përditësime duke iu përgjigjur edhe zhvillimit të teknologjisë.

Disa nga aplikacionet që ekzistojë në botën e teknologjisë duhet të jenë të ndaluara për t’u përdorur nga të miturit, por ky është një objektiv që nuk përmbushet vetëm nga ne, por duhet një konsensus dhe bashkëpunim me familjarët e të miturve. Legjislacioni aktual që kemi është i mjaftueshëm, por po punojmë me përmirësimin e tij dhe duke ecur bashkërisht me evoluimin e teknologjisë.”, tha ai.

Ai tregoi dhe llojet e kërcënimeve me të cilat përballen qytetarët.

Janë persona të prekur, përndjekje, ndërhyrje kibernetike dhe ndërhyrje në të dhëna”, tha ai./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!