Kërcënim për largim dhe elozhe pas humbjes, Flick: Bayerni im mbresëlënës

schedule08:28 - 8 Prill, 2021

schedule 08:28 - 8 Prill, 2021

Hansi Flick mund të largohet në verë për shkak të përplasjeve që ka pasur me drejtorin sportiv, Hasan Salihamidzic. Trajneri gjerman dhe boshnjaku kanë ide të ndryshme për merkaton dhe Flick ia ka shprehur drejtuesve të klubit pakënaqësitë.

Veç kësaj tekniku ua ka bërë me dije drejtuesve që do ta shohë pozicionin e tij të punës në fund të sezonit. Në verë gjermani kishte kërkuar të transferoheshin Sergino Dest dhe Callum Hudson-Odoi, por në fund Salihamidzic i ka vënë në dispozicion Bouna Sarr dhe Douglas Costa.

DEKLARATA E FLICK PAS HUMBJES ME PSG – Bayern Munich u mposht mbrëmë nga PSG me rezultatin 2-3 në çerekfinalen e parë të Champions League. Bavarezët dominuan dhe statistikat e tregojnë më së miri. Keylor Navas arriti të ndalonte 10 goditje në kuadrat, ndërkohë që trajneri Hansi Flick pas ndeshjes u shpreh:

“Kundërshtarët shënuan tre gola nga rastet e tyre të pakta dhe ne shënuam shumë më pak, por mënyra se si luajtëm ishte mbresëlënëse. Mund të kishim marrë një rezultat të mirë, por nuk ishim efikasë para portës.

Nuk më pëlqen të humbas, por jam i kënaqur me mënyrën se si kemi luajtur. Ekipi luftoi në fushë përgjatë 90 minutave. Për fat të keq nuk ishim aq efikasë para porte, siç jemi normalisht. PSG është ekip i mirë dhe e dinim që do të ishte e vështirë.

Mbappe dhe Neymar janë lojtarë të vështirë të mbulohen në duelet një kundër një. Duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës tani. Sigurisht që në Paris do të shkojmë për të fituar dhe për t’u kthyer në Gjermani si gjysmëfinalistë”. /abcnews.al