“Keratokonus”, sëmundja e syve tek të rinjtë, mjeket shpjegojnë kurimin me teknologjinë e fundit

schedule09:36 - 3 Dhjetor, 2021

schedule 09:36 - 3 Dhjetor, 2021

Sot në “ABC e Mëngjesit” është diskutuar për sëmundjen e Keratokonusit, që prek sytë e të rinjve.

Të ftuara në studio, mjekja kirurge Oftalmologe në Klinikën e Syve të Spitalit Amerikan nr.1, Teuta Haveri dhe mjekja kirurge Oftalmologe në Klinikën e Syve të Spitalit Amerikan nr.1, Mimoza Meço, kanë shpjeguar se çfarë është kjo sëmundje.

Mjeket kanë shpjeguar edhe kurimin e saj me teknologjinë e fundit, që vjen në ndihmë të të gjithëve.

“Keratokonusi është sëmundja më e rëndë në grupmoshat e të rinjve, sepse këto grupmoshat patologjitë më të zakonshme që vuajnë janë nevojat për syze. Është një sëmundje serioze, e rëndësishme e syve që prek një pjesë të vogël të popullatës apo të kësaj grupmoshe, duke qenë se lë ulje të rëndësishme të shikimit që në moshë të hershme, është mirë t’i kushtohet vëmendje për t’u diagnostifikuar herët, për shkak se sot ka trajtime që e frenojnë që në moshë të hershme, duke mos e lejuar sëmundjen që të na rëndojë shikimin më tej, për të mos arritur në ato stade të treta dhe të katërta të sëmundjes, ku sigurisht që edhe në ato stade për fat të mirë ende ka trajtime. Por janë trajtime më invazive, janë trajtime kirurgjikale, gjërat komplikohen”, tha Meço.

“Duhet thënë që kirurgjia e syrit në përgjithësi është një kirurgji mikroevazive, pra instrumentat me të cilat ne punojmë janë shumë fine, të tilla që shihen vetëm në mikroskop dhe ndërhyrjet kushtëzohen kryesisht në sipërfaqe të syrit. Mos mendoni që janë bisturi të mëdha të frikshme, janë bisturi që arrin të shihen vetëm me mikroskop. Domethënë, nëse ti nuk ke aparaturën e duhur nuk arrin ta diagnostikosh se çfarë ka syri. Që të vendosësh diagnozën të duhet një mikroskop, i cili zmadhon të paktën 20 herë strukturat e syrit që të shikosh se çfarë nuk shkon, të vendosësh diagnozën dhe mënyrën e trajtimit”, u shpreh Haveri. l.k/abcews.al