Keni pagjumësi? Mund të jetë nxehtësia

schedule07:20 - 23 Korrik, 2022

schedule 07:20 - 23 Korrik, 2022

Pagjumësia kur temperatura rritet ose mbetet konstante në 20 gradë ose më lart është një fenomen i zakonshëm. Kjo ndodh sepse mekanizmi i gjumit është i lidhur drejtpërdrejt me rregullimin e temperaturës së trupit . Temperatura normale e trupit është rreth 37 gradë , por ajo bie gjatë natës për të na ndihmuar të flemë. Kur errësohet, truri prodhon melatoninë, e cila nga ana tjetër zgjeron enët e gjakut në krahë dhe këmbë. Zgjerimi i enëve çon në uljen e temperaturës së trupit me rreth 1 gradë , gjë që na ndihmon të flemë. Por kur temperatura e dhomës është 20 gradë e lart, trupi duhet të bëjë një përpjekje më të madhe për të rregulluar temperaturën e tij para gjumit.

Ajri i ngrohtë në dhomë gjithashtu mund të prishë fazat e gjumit. Çdo natë, truri kalon nëpër 4 faza zgjuar, gjumë i lehtë, gjumë i thellë, REM dhe përsërit ciklin 4-6 herë. Gjumi i thellë është faza në të cilën aktiviteti i trurit ngadalësohet dhe krijohen kujtime. Nëse gjumi i thellë është cilësor, do të zgjohemi të qetë dhe gati për të nesërmen. Fatkeqësisht, kjo fazë e veçantë është shumë e ndjeshme ndaj temperaturave të larta ose të ulëta.

E njëjta gjë mund të ndodhë me fazën REM. Sipas një studimi të vitit 2020, nëse temperatura në dhomë është e lartë, atëherë faza REM zgjat më pak. Kjo do të thotë që cikli i gjumit duhet të fillojë përsëri.

Nëse kjo ndodh për një natë, nuk do të ketë ndonjë efekt të rëndësishëm. Por me valët e zgjatura të të nxehtit, është e mundur që gjendja e mungesës së gjumit të çojë në një psikologji përgjithësisht depresive, nervozizëm dhe mungesë gjykimi, gjë që mund të krijojë probleme të mëdha në profesionet që kërkojnë gatishmëri dhe vendime të shpejta.

Me rritjen e temperaturave globalisht, shkencëtarët parashikojnë se deri në fund të shekullit, ne mund të humbasim 50 orë gjumë në vit. Kjo do të thotë se do të ketë edhe më shumë netë që nuk do të kemi gjumë të mjaftueshëm për shkak të vapës dhe për rrjedhojë më shumë ditë që një pjesë e madhe e popullsisë do të vuajë nga simptomat e mungesës së gjumit.

Ventilatorët dhe kondicionerët janë disa nga pajisjet që mund të përdoren për të ulur temperaturën e një dhome, por sipas ekspertëve çdo gjë që mund të ndihmojë në uljen e temperaturës së trupit gjithashtu ndihmon nga një çarçaf i hollë deri tek një dush i vakët para se të shkoni në shtrat. Ndihmon gjithashtu për të mbajtur perdet dhe dritaret të mbyllura në mënyrë që dhoma të mos nxehet pa nevojë gjatë ditës. Përveç çështjes së temperaturës, është më e lehtë të relaksoheni kur nuk ju pikon djersë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!