Këngëtarja e njohur shqiptare, Ledina Çelo, prej më shumë se një dekade jeton larg Shqipërisë. Ajo ka krijuar një jetë të re në Fulda të Gjermanisë me bashkëshortin e saj, Naim Kabashin, me të cilin ka dy fëmijë.
Në një intervistë të dhënë në emisionin “Rudina”, këngëtarja ka rrëfyer ndër të tjera, arsyet familjare se pse u distancua nga muzika viteve të fundit.
“Ka ardhur sepse ti e di vetë, kur bëhesh edhe mama nuk është shumë e thjeshtë. Angazhimet familjare, fëmijët, jeta larg… nuk mund të them bëra një sakrificë sepse falënderoj Zotin që më ka sjellë ata dy fëmijë, ata janë jeta ime, por nuk ishte aq e thjeshtë që të mbaja një ekuilibër duke zgjedhur karrierën siç isha dikur, duhej të bëja patjetër një pauzë. Më saktë, riskova pak në marrëdhënien time me bashkëshortin. Duke qenë se të ardhurat financiare të mira vijnë nga bashkëshorti, duhet të ishte dikush në familje që do të bënte një sakrificë”, ka thënë Ledina.
Sakaq, këngëtarja është shumë aktive në rrjetet sociale, ku ndan herë pas here momente nga jeta e përditshme./abcnews.al