Këngëtari i njohur dënohet me 30 vite burg për trafikim seksual

schedule21:21 - 29 Qershor, 2022

schedule 21:21 - 29 Qershor, 2022

Këngëtari R. Kelly është dënuar me 30 vjet burg pas akuzave për shantazh dhe trafikim seksual. Artisti, emri i vërtetë i të cilit është Robert Sylvester Kelly ka kaluar tashmë afër tre vjet pas hekurave. Gjyqtarja Ann M. Donnelly dha dënimin të mërkurën, duke thënë se publiku duhet të mbrohet nga sjellje të tilla.

Vitin e kaluar, Kelly u shpall fajtor për akuza duke përfshirë shfrytëzimin seksual të një fëmije, shantazh dhe trafikim seksual. Sipas gjykatës, Kelly ishte në krye të një komploti kriminal për të rekrutuar dhe detyruar vajza dhe djem për seks. Ai akuzohet se ka përdorur famën për t’i futur në grackë personat në fjalë.

Prokurorët i kishin kërkuar gjykatësit të dënonte yllin e R&B 55 vjeçar, me më shumë se 25 vjet burg, ndërsa avokatët e tij mbrojtës kërkuan 10 ose më pak, duke argumentuar se kërkesa e prokurorëve ishte “e barabartë me një burgim të përjetshëm”.

“Askush nuk mund ta zhbëjë dëmin që u është bërë këtyre viktimave,” u tha gazetarëve të mërkurën jashtë gjykatës avokatja Gloria Allred, e cila përfaqësonte tre viktima që dëshmuan. “Por të paktën është koha që zoti Kelly të jetë përgjegjës”. /abcnews.al