Britney Spears i ka shpallur luftë babait të saj, Jamie Spears pasi u pezullua nga roli i kujdestarit ligjor pas 13 vitesh. Avokati i saj, Mathew Rosengart, po kërkon prova që vërtetojnë se ai e ka përgjuar vajzën në banesën e saj. Ai ka kërkuar nga Jamie të gjithë komunikimet në lidhje me çdo pajisje dëgjimi në shtëpinë e yllit të popit.
Ky veprim vjen pas publikimit të dokumentarit më të ri mbi jetën e këngëtares, “Controlling Britney Spears”, në të cilin, thuhej se babai i saj kishte monitoruar komunikimet e saj dhe regjistruar fshehurazi dhomën e saj të gjumit, duke përfshirë ndërveprimet dhe bisedat me të dashurin e saj.
Në qershor, Spears dha një dëshmi 23-minutëshe në një gjykatë në Los Anxhelos, ku kërkoi të lirohej nga kujdestaria, nëpërmjet së cilës babai e kishte kontrolluar për 13 vite. Ikona e muzikës hodhi akuza të rënda, duke thënë mes të tjerash, se nuk i lejohej të bënte fëmijë.
Marrëveshja nisi në 2008, kur shqetësimet rreth shëndetit mendor të këngëtares e shtynë babanë e saj të kërkonte një autorizim ligjor mbi jetën e saj. Një nga dëshirat e saj u plotësua në fund të shtatorit, kur Jamie u pezullua nga kujdestaria, një fitore e madhe ligjore për yllin e popit./abcnews.al