Ilkay Gundogan është një nga futbollistët më të mirë të këtij sezoni te Manchester City. Mesfushori gjerman ndodhet në formë fantastike dhe numëron 16 gola e 4 asiste. 30-vjeçari do të rikthehet në “Signal Iduna Park” nesër, stadium ku kaloi 5 vite (2011-2016).
Në konferencën për shtypin, Gundogan flet në lidhje me rikthimin e tifozëve për finalen e Carabao Cup kundër Tottenham (8 mijë tifozë në Wembley më 25 prill) dhe rreth sfidës së nesërme ndaj Dortmund në Champions. City fitoi 2-1 ndeshjen e parë dhe do të tentojë të mposhtë sërish ekipin gjerman.
TIFOZËT – “Jam i emocionuar që do të rikthehemi të luajmë me tifozë ndaj Tottenham, një ndjesi ndaj së cilës duhet të përshtatemi sërish. Do të jetë fantastike të shohim përsëri tifozë në shkallët e stadiumit”.
CHAMPIONS – “Fitimi i këtij kompeticioni është një nga synimet e mia. Shanset janë për t’ia dalë me Manchester City. Duhet të shfrytëzojmë mundësinë që kemi këtë vit, do të japim më të mirën nga vetja për të shkuar deri në fund”.
DORTMUND – “Mbrojtja e rezultatit të parë nuk është pjesë e filozofisë tonë, nuk i përshtatet mënyrës si luajmë. Duhet të fitojmë ndeshjen nesër, kështu jemi mësuar dhe do të tentojmë ta bëjmë edhe në Gjermani”.
GABRIEL JESUS – “Për këtë lojtar nuk ekzistojnë limitet, ai ka bërë gjëra të jashtëzakonshme në këto vite. Po flasim për një sulmues të nivelit botëror”. /abcnews.al