“Kemi ende shumë për të bërë”, Xabi Alonso: Shpresoj që të festojmë për tifozët tanë

schedule11:56 - 3 Maj, 2024

schedule 11:56 - 3 Maj, 2024

Janë të pamposhtur. “Aspirinat” e Bayer Leverkusen kanë arritur një tjetër fitore të madhe mbrëmjen e së enjtejes, që sapo lamë pas, teksa kanë mundur në “Stadio Olimpico”, “Verdhekuqtë” e Roma, në sfidën e parë gjysmëfinale, të UEFA Europa League, me rezultatin e pastër, 2 me 0, duke qëndruar me “një këmbë” në finalen e madhe të kompeticionit.

Pas ndeshjes një koment të shkurtër e bëri edhe tekniku i “Aspirinave”, Xabi Alonso, i cili pavarësisht fitores së madhe, e cila ishte e 47 radhazi u tregua shumë modest, teksa tha se ka ende shumë punë për të arritur deri në finale dhe më tej analizoi stilin e lojës, së skuadrës së tij, ndaj “Verdhekuqve”, në sfidën e parë, në “Stadio Olimpico”.

“Ne luftuam me shumë grintë dhe disiplinë, por ka ende shumë punë për të bërë. Luajtëm mirë në kundërsulm, dhe megjithëse nuk i shfrytëzuam në maksimum të gjitha rastet që patëm për të shënuar golin e tretë, ne jemi të kënaqur. Shpresoj që të festojmë së bashku me tifozët tanë në ndeshjen e dytë.

Në ‘Olimpico’ zhvilluan një performancë të fokusuar me inteligjencë dhe pjekuri. Roma pati rastet e saj, më pas goli i parë na dha më shumë besim, bëmë gjënë e duhur me topin në zotërim dhe pa top. Kishim qëndrueshmëri në pjesën e dytë dhe nuk i lamë shumë hapësira italianëve. E dinim që, nëse do të qëndronim solidë dhe të disiplinuar në prapavijë, mund të krijonim shanset tona”,- u shpreh tekniku spanjoll. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!