“Kemi 33 zona urbane me ujë 24 orë”, Balluku: Është sektori me më shumë investime

schedule14:52 - 21 Qershor, 2023

schedule 14:52 - 21 Qershor, 2023

Ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjitikës, Belinda Balluku mesditën e kësaj të mërkure ka bërë një inspektim përsa i përket lidhjeve të paligjshme të ujit në zonat e Golemit.

Balluku solli në vëmendje investimet e shumta që janë realizuar në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, të cilat kanë transformuar rrënjësisht këtë sektor duke përmirësuar dhe rritur orët e furnizimit me ujë të pijshëm në të gjithë vendin.

“Me të gjitha këto avancime që ne kemi bërë, si për shkak të infrastrukturës dhe investimeve të shumta, investime që ne i kemi thënë gjithmonë që ndoshta është sektori me investimet më intensive që ne kemi pasur deri më sot, por fatkeqësisht nuk ka pasur duk edhe për shkak të një menaxhimi jo të mirë nga pushteti vendor, që ishte edhe arsyeja pse ne arritëm në vendimmarrjen për ti agreguar këto ndërmarrje”, është shprehur ministrja.

Ndër të tjera ajo ka theksuar se tashmë rreth 92% e zonave urbane kanë ujë 24 orë dhe sipas saj me mbylljen e këtyre investimeve fokusi për rrjetin e ujësjellësit do të kthehet te zonat rurale.

“Kjo ka qenë si forma e reformës energjitike, ku një pjesë paguan dhe një pjesë tjetër përfiton nga abuzimi dhe mund të ketë ndonjë reagim nga qytetarët, por e rëndësishme është që njerëzit të kuptojnë se uji është një mall që duhet që të dimë vlerën e tij. Pasi shumë mendojnë se uji është në burime dhe e ka fal zoti, patjetër e ka fal zoti por është një infrastrukturë e gjerë që kërkon investim për mirëmbajtjen e tij dhe kostoja e tij duhet që të paguhet. Ka shumë raporte të bankës botërore që kërkojnë edhe rritjen e çmimit të këtij produkti, kemi 33 zona urbane që i kemi mbyllur me 24 orë uji, dhe 92 % e zonave janë me ujë 24 orë dhe na ka ngelur shumë pak punë në këtë drejtim për të vijuar me zonat rurale”, ka thënë Balluku./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!