Shtetet e Bashkuara dhe Rusia realizuan këmbimin më të madh të burgosurve në periudhën post-sovjetike, një marrëveshje që përfshiu lirimin e 24 të burgosurve, pas negociatave që zgjatën me muaj dhe lëshimeve të vendeve evropiane, të cilat liruan individë që i mbanin nëpër burgjet e tyre si pjesë të këtij këmbimi.
Marrëveshja nuk duket se sinjalizon një përmirësim të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, por gjithsesi ajo është për t’u shënuar.
Analistët vënë re një çekuilibër tek fakti që amerikanë të burgosur padrejtësisht po këmbehen me kriminelë të dënuar në gjykata perëndimore, megjithatë Presidenti Joe Biden thotë se marrëveshje të tilla kërkojnë vendime të vështira.
Më poshtë disa fakte të rëndësishme lidhur me marrëveshjen:
Cilët ishin të liruarit
Në mesin e 24 individëve – disa të profilit të lartë e disa jo – ishin gazetarë, disidentë politikë, spiunë të dyshuar, një haker kompjuterësh, një mashtrues dhe një i dënuar për vrasje.
Rusia liroi 16 individë, përfshirë gazetarin e ‘Wall Street Journal’ Evan Gershkovich dhe ish-marinsin Paul Whelan, një drejtues sigurie i një korporate në Miçigan. Të dy përballeshin me dënime të gjata në burg pasi u shpallën fajtorë për spiunazh në sistemin e politizuar ligjor të Rusisë, akuza të cilat qeveria amerikane i cilësoi si të pabaza.
Në mesin e të liruarve nga Moska është edhe gazetarja e Radio Evropës së Lirë Alsu Kurmasheva, e cila ka shtetësi të dyfishtë amerikano-ruse dhe që u dënua në muajin korrik për shpërndarje të informacionit të rremë për ushtrinë ruse – akuza të cilat familja dhe Evropa e Lirë i kanë mohuar.
Tre amerikanët mbërritën të enjten mbrëma në bazën ushtarake Andrews, në Merilend, ku u pritën nga Presidenti Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris.
Rusia gjithashtu liroi kritikun e Kremlinit dhe fituesin e çmimit Pulitzer, Vladimir Kara-Murza, i cili po vuante një dënim prej 25 vitesh burg për tradhëti, që konsiderohej si i motivuar politikisht.
Prej të burgosurve që Rusia i mori në këmbim është Vadim Krasikov, i dënuar në Gjermani për vrasjen e një kryengritësi çeçen në një park në Berlin para dy vitesh, me gjasë me urdhrat e shërbimeve ruse të sigurimit. Në mesin e të burgosurve ishin edhe dy agjentë “të fjetur” të cilët ishin të burgosur në Slloveni, tre të dënuar nga autoritetet amerikane dhe dy nga Norvegjia dhe Polonia.
Përmirësimi i marrëdhënieve SHBA-Rusi?
Kjo nuk duket e afërt.
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë bërë disa marrëveshje për këmbim të burgosurve gjatë periudhës së luftës së Rusisë në Ukrainë, përfshirë atë në dhjetor të vitit 2022 përmes të cilës Moska liroi basketbollisten amerikane Brittney Griner në këmbim të trafikantit të armëve Viktor Bout.
Por asnjëri nga këto këmbime nuk rezultoi në përmirësim të marrëdhënieve, sidomos në një kohë kur Presidenti rus Vladimir Putin refuzon t’i japë fund agresionit kundër Ukrainës dhe Uashingtoni vazhdon t’i dërgojë mbështetje të rëndësishme ushtarake Kievit.
Më shumë se gjithçka tjetër, këmbimet e të burgosurve janë një burim i rrallë kompromisi dhe përputhje interesash të ndërsjella. Megjithatë, fakti që shtetet arritën marrëveshje në një kohë të armiqësive të hapura është për t’u shënuar.
Amerikanët që mbetën në Rusi
Ndonëse marrëveshja e së enjtes përfshin amerikanët më të njohur që u mbajtën në Rusi, përfshirë dy nga të cilët u konsideruan zyrtarisht si të burgosur padrejtësisht, janë edhe disa amerikanë të tjerë që mbeten në Rusi.
Mes tyre janë artisti i muzikës rock Travis Leake, i dënuar nën akuza droge, që po vuan burg; ushtari amerikan Gordon Black, i shpallur fajtor për vjedhje dhe për kërcënim për vrasje; Marc Fogel, një mësues që po vuan dënim nën akuza droge dhe Ksenia Khavana, e cila u arrestua në Yekaterinburg në muajin shkurt për tradhëti, nën akuzat se ka mbledhur fonde për ushtrinë e Ukrainës.
Khavana u kthye në Rusi për të vizituar familjen. Pronari i një salloni bukurie në Kaliforni ku Khavana ka punuar në të kaluarën, i tha agjencisë Associated Press se Khavana në fakt po grumbullonte fonde për ndihma humanitare.
Në një deklaratë shtypi pas shpalljes së marrëveshjes, familja e zotit Fogel tha se është “e pakuptimtë” që ai nuk është përfshirë në marrëveshje dhe i bëri thirrje administratës së zotit Biden ta bëjnë përparësi lirimin e tij.
Një zyrtar i lartë i administratës, i cili foli me gazetarët para këmbimit me kusht të mos identifikohet sipas rregullave të Shtëpisë së Bardhë, tha se administrata do të dyfishojë përpjekjet për t’i kthyer të gjithë amerikanët në shtëpi.
Dallimet mes të liruarve nga të dyja palët
Në këmbimet e të burgosurve gjatë viteve të fundit, qeveria amerikane ka liruar kriminelë të dënuar për krime serioze, përfshirë trafikantë të armëve dhe narkotikëve dhe një drejtues të rrjetit të narkotikëve të grupit Taliban.
Marrëveshja e fundit nuk përbën përjashtim: Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë ranë dakord t’i dorëzojnë Rusisë kriminelë të cilët konsiderohet se janë të shpallur fajtorë dhe të dënuar në bazë të proceseve të drejta gjyqësore.
Shembulli më i rëndësishëm është ai i Vadim Krasikovit, i cili më 23 gusht të vitit 2019 u shpall fajtor për vrasjen e 40 vjeçarit Zelimkhan “Tornike” Khangoshvilit, shtetas i Gjeorgjisë, i cili kishte luftuar kundër trupave ruse në Çeçeni dhe më vonë kishte kërkuar azil në Gjermani.
Kur e dënuan Krasikovin me burgim të përjetshëm në vitin 2021, gjykatësit gjermanë thanë se ai veproi nën urdhrat e autoriteteve ruse, të cilët i dhanë atij identitet të rremë, pasaportë dhe burime për të kryer vrasjen.
Gjatë negociatave, Rusia këmbënguli që Krasikovi të lirohej si pjesë e këmbimit, duke e bërë të qartë se ai ishte në krye të listës së saj. Presidenti Putin dha shenja në fillim të këtij viti se ishte i interesuar në një këmbim të tillë për të liruar “patriotin” që po mbahej në Gjermani.
Në kontrast, amerikanët dhe evropianët e liruar nga Rusia përfshijnë njerëz që konsideroheshin nga Shtetet e Bashkuara si të burgosur padrejtësisht – si në rastin e gazetarit Gershkovich dhe ish marinsit Whelan – apo të atyre që përgjithësisht po konsideroheshin si të ndaluar me akuza të pabaza.
“Marrëveshjet të tilla vijnë me vendime të vështira,” deklaroi Presidenti Biden, por shtoi: “Asgjë nuk ka më shumë rëndësi për mua se t’i mbroj amerikanët këtu dhe jashtë vendit.”
Marrëveshja mund të kishte përfshirë Navalny-n
Pjesë qendrore e kësaj marrëveshjeje ishte njeriu që kurrë nuk arriti të jetë pjesë e saj: Udhëheqësi rus i opozitës, Alexei Navalny.
Në kohën kur ai vdiq në muajin shkurt, zyrtarët ishin duke diskutuar një këmbim të mundshëm që do të përfshinte atë dhe zotin Krasikov si mënyrë për të përmbushur kërkesën e vazhdueshme të Rusisë për të dhe për t’i liruar amerikanët e burgosur.
Zyrtarët e administratës amerikane e përshkruan vdekjen e befasishme dhe të pashpjegueshme të zotit Navalny si hap prapa, por ata hartuan një plan të ri për t’ia prezantuar Kancelarit gjerman Olaf Scholz.
Në fund, disa bashkëpunëtorë të zotit Navalny u liruan.
Politika prapa marrëveshjes
Presidenti Biden e paralajmëroi angazhimin e tij për këtë marrëveshje javën e kaluar, kur gjatë fjalimit të tij nga Zyren Ovale kur shpalli vendimin e tij për të mos u rikandiduar: “Gjithashtu po punojmë tërë kohën për të kthyer në shtëpi të gjithë amerikanët që janë dënuar padrejtësisht nëpër tërë botën.”
Të enjten, ai përjetoi suksesin e rezultatit diplomatik të arritur në muajt e fundit të administratës së tij ndërkohë që mirëpriti familjet e të burgosurve amerikanë që po ktheheshin në Shtëpinë e Bardhë. Ndoshta në një referencë ndaj sloganit të ish- rivalit të tij Donald Trump “Amerika e Para”, zoti Biden tha: “Dita e sotme është shembull i fuqishëm se përse është jetike të kesh miq në këtë botë.”
Trump, i cili gjatë mandatit të tij kishte treguar interesim për çështjen e pengjeve dhe amerikanëve që mbaheshin padrejtësisht, gjatë debatit të qershorit me zotin Biden pretendoi se ai do të siguronte lirimin e gazetarit Gershkovich menjëherë pasi t’i fitojë zgjedhjet.
Të enjten, ai kritikoi marrëveshjen, duke sugjeruar gabimisht në platformën e tij ‘Truth Social’ se Shtetet e Bashkuara i kishin dhënë fonde Rusisë në këmbim të marrëveshjes.
“A po lirojmë vrasës, atentatorë apo rrugaçë? Jam vetëm kureshtar ngaqë ne kurrë nuk bëjmë marrëveshje të mira, për asgjë, por në veçanti për këmbimin e pengjeve,” shkroi ai./VOA/