Këmbëngulja e socialistëve, ndryshojnë ligjet për të futur Arta Vorpsin në Kushtetuese

schedule01:30 - 11 Dhjetor, 2019

schedule 01:30 - 11 Dhjetor, 2019

Arta Vorpsi hapi një debat të madh politik e juridik, kur, shkoi përpara një notereje dhe bëri betimin e saj si gjyqtare Kushtetuese, duke shmangur kështu Presidentin e Republikës, përpara të cilit duhet të betohej.

Aktin noterial, ja dërgoi me postë kreut të shtetit.

Në 14 nëntor, një betim i tillë para noterit nuk ishte parë e dëgjuar, madje, vetë noterja, tha se nuk kishte organizuar një ceremoni betimi, por kishte legalizuar vetëm firmën e Arta Vorpsit mbi këtë deklarim.

Pa u bërë një muaj, me këmbënguljen për ta dërguar Vorpsin në Gjykatën Kushtetuese, socialistët kanë propozuar ndryshime ligjore, që legalizojnë tërësisht procedurën e përdorur nga Arta Vorpsi.

Ata kërkojnë që në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, betimi të rregullohet.

Presidenti i Republikës organizon ceremoninë e betimit jo më vonë se 10 ditë nga data e zgjedhjes, emërimit ose shpalljes të emëruar të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar  dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese. Data e organizimit të ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim, konsiderohet si dita e betimit dhe e fillimit të detyrës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetues

Nëse ky nen tingëllon si një procedurë e parashikuar për të ardhmen, socialistët konfirmojnë të kundërtën në nenin e dytë.

“Gjyqtarët e zgjedhur, të emëruar ose të shpallur të emëruar, por që nuk kanë bërë betimin, me hyrjen në fuqi të këtij ligji betohen sipas rregullave të këtij ligji.”

E tillë është Arta Vorpsi. Kuvendi e konsideron si të shpallur të emëruar, pasi emri i saj është botuar në Fletoren zyrtare, si e renditur e para nga KED-ja. Ajo nuk e ka bërë betimin, sepse Presidenti nuk e ka thirrur, ndaj socialistët përmes këtij neni ta vendosin Vorpsin në karrigen e anëtarit të Kushtetueses, në vend të Marsida Xhaferllarit./abcnews.al