Këmbëmbari dhe heroi, Jashanica e Gripshi skanojnë Skënderbeun

schedule10:28 - 9 Qershor, 2020

schedule 10:28 - 9 Qershor, 2020

Fitoret radhazi u bënë gjashtë. Seria nisi me Teutën në javën e 23-të, vazhduan me Vllazninë, Luftëtarin, Kukësin, Partizanin e ja tani me Flamurtarin. Nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja, ka vetëm 1 humbje në 11 sfidat e fundit, dhe plot 8 suksese, që e kanë ngjitur nga vendi I 8-të në të tretin.

Një nga lojtarët më të rëndësishëm është Bajram Jashanica, i cili po njeh vetëm fitore që kur u kthye nga pezullimi për shkak të dopingut. “Është një rikthim me fat, pasi që kur jam kthyer kam pesë fitore. Shpresojmë të vazhdojmë kështu. Ekipi ka dhënë gjithmonë më të mirën dhe na është shpërblyer puna që kemi bërë”, tha fillimisht mbrojtësi.

Edhe pse ndihet mirë tek Skënderbeu, Jashanica ka plane për të ndryshuar. “Ka qenë ajo periudha që besoja se mund të lëvizja në ndonjë kampionat më të fortë. Fati im i keq që ndodhi ajo (i referohet dënimit nga UEFA për doping), që nuk dua as ta kujtoj.

Shpresojmë dhe do bëj maksimumin të kthehem siç kam qenë, e pse jo të provoj një eksperiencë në një kampionat më të fortë”, shtoi qendërmbrojtësi, i cili i la radhën sulmuesit anësor, Nazmi Gripshi. Në Vlorë, me golin e tij i dha tre pikët Skënderbeut.

“Si ne dhe Tirana po paraqitemi mirë, kemi marrë fitore rresht. E kishim pak të vështirë fillimin, për ta nisur aty ku e lamë ishte e vështirë. Fatmirësisht nuk kemi dëmtime dhe kemi marrë dy fitore në dy ndeshje”, u shpreh Gripshi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!