Kaos te Marseille. Situata në klubin e famshëm francez është shumë e keqe. Trajneri Villas Boas u largua me polemika nga drejtimi i ekipit pak ditë më parë, teksa nuk kanë munguar kritikat dhe sulmet e tifozëve.
Këta të fundit, të pakënaqur me ecurinë e skuadrës së tyre të zemrës, marshuan drejt qendrës stërvitore duke tentuar pa rezultat të futen me forcë brenda. Ndërkohë, telashe edhe për Alvaro Gonzalez.
Mbrojtësi spanjoll i Marseille, protagonist në ofendimet raciste ndaj Neymar në takimin e luajtur ndaj PSG në muajin shtator, ka treguar edhe njëherë se e tepron me fjalët. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit sotëm.
31-vjeçari ka dalë në rrugë pa maskën mbrojtëse dhe të detyrueshme në këtë kohë pandemie. Një polic lokal i ka kërkuar që të vendosë maskën, veprim që ka tërbuar Gonzalez. Polici ka insistuar me kërkesën e tij, por ka marrë një ofendim nga lojtari.
“Hijo de puta (këlysh k****)“, i është drejtuar ky i fundit, teksa ka vazhduar ta ofendojë në spanjisht policin. Situata është tensionuar dhe vetëm ndërhyrja e menaxherit të klubit të Marseille ka qetësuar palët.
Në fund një gjobë për Gonzalez, për faktin që po lëvizte pa maskë, teksa ndaj futbollistit iberik është paraqitur një ankesë për ofendim dhe përbuzje ndaj autoriteteve publike. /abcnews.al