Ish-depuetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Kejdi Mehmetaj pyet ministren e Arsimit nëse është menduar strategjia për mbrojtjen nga Covid-19 me nisjen e shkollave në datë 14 shtator.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Mehmetaj shkruan se vendi ynë akoma nuk ka mbi tryezë një strategji të qartë për funksionimin e shkollave, ndërkohë që OBSH i quan të rinjtë jo vetëm transmetues por edhe me simptoma.
Ajo thotë se koha nuk pret dhe duhet të nisë urgjent të merren masa e veprime konkrete, në të kundërt arsimi në Shqipëri do të degradojë.
“Arsim apo propagandë? Data 14 shtator pritet të jetë data e fillimit të vitit akademik 2020-2021, por, përveç datës, çdo detaj tjetër mbi vitin e ri akademik vazhdon të jetë enigmë për mësuesit, nxënësit e prindërit.
Në kushtet kur OBSH thotë se të rinjtë janë jo vetëm transmetues të virusit por kanë filluar të shfaqin edhe simptoma, vendi ynë akoma nuk ka mbi tryezë një strategji të qartë për funksionimin e shkollave. E ndërsa për Kosovën e Maqedoninë e Veriut mjafton të bësh një kërkim të thjeshtë online e gjen udhëzime e skenarë të parashikuar për mbarëvajtjen e vitit të ri akademik, për Shqipërinë gjen vetëm foto të kuruara bukur të Ministres, foto që u shkojnë për shtat blogereve, por jo një institucioni që ka në dorë fatet edukuese të qindra mijëra nxënësve e studentëve.
Pse ende sot, një muaj përpara fillimit të shkollës, ende nuk dihet si do të zhvillohet mësimi?
A do të kthehen nxënësit në auditore?
Nëse po, çfarë masash janë marrë për të siguruar kushtet e duhura të distancimit dhe higjenës në mënyrë që shkollat të mos kthehen në vatra infektimi?
A do të zhvillohet mësimi online?
Nëse po: A është siguruar ministria se çdo nxënës pavarësisht se ku banon apo çfarë kushtet sociale dhe ekonomike ka do të mund ta aksesojë mësimin online?
A do vazhdojë të quhet mësim online shpërndarja e detyrave nga Ëhats App dhe Facebook?
Duke qenë se prindërit janë kthyer në punë, kush do të kujdeset për fëmijët dhe kush do i asistojë ata për mësimet?
A është standartizuar e certifikuar kurrikula online, apo mësuesit do të improvizojnë sipas rastit?
A janë bërë gati programet specifike që përdoren për mësimdhënie e mësimnxënie online?
Si do të jetë sistemi i vlerësimit të dijeve të marra?
Po maturantët e këtij viti a do të përballen sërish me gafat dashakeqe me të cilat u përballën maturantët që sapo mbyllën vitin akademik?
Nëse nxënësit kthehen në klasa e situata me COVID-19 përshkallëzon, a ka ministria një skenar?
Po nëse çdo gjë kthehet në normalitet, si do rikuperohen dijet e mangëta nga viti që lam pas?
Kur do të pajisen nxënësit me librat shkollorë?
A ka një plan masash që të lehtësojë shpenzimet e familjeve në këtë fillim viti të ri akademik, kur dihet tanimë se ekonomia ka rënë ndjeshëm, papunësia është rritur e çmimet po ashtu?
A është njohur Ministria e Arsimit me udhëzimet e UNESCO-s, UNICEF-it, BB-së, OBSH-së, etj dhe a janë reflektuar këto udhëzime?
Cila është puna që ka bërë ministria dhe institucionet e saj të varësisë me mësuesit gjatë këtyre dy muajve për ti përgatituar për çdo situatë? Mbi të gjitha, a i ka dëgjuar ministria shqetësimet reale të mësuesve e prindërve mbi “mësimin online” që u zhvillua gjatë periudhës së karantinës?
A ka shtesa në buxhetin e arsimit për vitin e ri akademik?
Këto janë pak pyetje dhe shumë të përgjithshme krahasuar me lëmin e problemeve e pyetjeve që mund të ngrihen për fillimin e vitit të ti akademik, për infrastrukturën, studentët, shkollat profesionale, etj. Pyetje që duket të jenë retorike. Pyetje, përgjigjet e të cilave me çduket nuk do i marrim ndonjëherë, pasi përgjigjet e tyre do nxirrnin në pah dështimin e neglizhencën e Ministrisë së Arsimit.
Koha nuk pret! Urgjentisht duhet të fillojnë të merren masa e veprime konkrete. Në të kundërt, për sa kohë Ministria e Arsimit shqetësohet vëtëm për dukjen online, ndërsa situatën e krijuar në arsim si pasojë e pandemisë e harron, e neglizhon dhe mbi të gjitha nuk e trajton, arsimi në Shqipëri do degradojë edhe më keq se gjatë viteve të mëparshme të qeverisjes së Ramës”, shkruan Kejdi Mehmetaj./abcnews.al