Jurgen Klopp mbetet një nga personazhet më të dashur të botës së futbollit. Mbi të gjitha real dhe gjithmonë gati për të dhuruar ndonjë batutë. Kështu ka ndodhur edhe kësaj radhe.
Një gazetar norvegjez e ka pyetur në lidhje me Ole Gunnar Solskjaer. Manchester United pret Liverpoolin të dielën. “Djajtë e Kuq” ndodhen në një moment të errët dhe trajneri nordik rrezikon vendin e punës.
“Çfarë këshille mund t’i japësh Solskjaerit?“, pyet gazetari gjatë konferencës për shtyp dhe trajneri gjerman reagon në këtë mënyrë.
“Ke fluturuar nga Norvegjia për të më drejtuar një pyetje të tillë? Wow… Jo, nuk është e nevojshme. Ai ka qenë pjesë e atij klubi prej 10-15 vitesh. Nuk e di se sa ka luajtur, por tani po bën eksperiencë si trajner. Njerëzit mendojnë se duhet të drejtosh më parë Realin dhe pastaj Barcelonën. Ai e di vetë se çfarë duhet të bëjë“, përfundon trajneri i “The Reds”. /abcnews.al