Kavajë, dhunë ndaj arbitrave në ndeshjen Besa-Bylis

schedule22:49 - 13 Prill, 2019

schedule 22:49 - 13 Prill, 2019

Ndeshja Besa-Bylis e Kategorisë së Parë nuk u arrit të përfundohej pasi tifozët vendas sulmuan arbitrat. Ata hodhën sende të forta ndaj gjyqtarëve, ndërsa as forcat e Policisë së Shtetit nuk mjaftuan për të normalizuar gjendjen

Dhuna nuk pret që qeveria dhe Federata të mbushin 100-ditëshin e tyre.

Në Kavajë, autoritetit të shtetit dhe të institucioneve të futbollit iu bë një tjetër sfidë, duke rrezikuar jetën e arbitrave, por edhe të forcave të policisë.

Ndeshja e Kategorisë së Parë, Besa-Bylis, u ndërpre në minutën e 75-të, pas sulmit të tifozëve ndaj arbitrit anësor, dhe u braktis për të mos u përfunduar.

Skuadra nga Ballshi po kryesonte 1-0 me gol të shënuar që në pjesën e parë, ndërsa në minutën e 75-të u dha karton i kuq për një lojtar kavajas.

Ky ishte edhe momenti që solli reagimin e një pjese të tifozëve në tribunën kryesore, ndërsa tribunat e tjera ishin bosh.

Arbitri anësor Rexha u godit me copë betoni në shpinë, dhe shpëtoi mirë pa iu rrezikuar jeta, gjë që do të kishte ndodhur nëse do të ishte goditur në kokë.

Më pas, sendet e forta u lëshuan edhe ndaj forcave të Policisë së Shtetit që hynë në fushën e lojës, të cilat u zunë krejtësisht të papërgatitura.

Sjellja më fisnike ishte ajo e lojtarëve vendas, që morën në mbrojtje arbitrat, madje sulmuesi Albi Çekiçi shoqëroi anësorin Rexha për ta shpëtuar nga goditja e gurëve dhe sendeve të tjera të forta.

Pritet që ndeshja të jepet 3-0 në tavolinë për Bylisin, që Besës t’i hiqen tri pikë nga renditja dhe që të ketë ndëshkim të fushës kavajase./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!