Kauzat e shoqërisë civile dhe me çfarë merret “Sorosi” në Shqipëri?

schedule23:34 - 19 Tetor, 2021

schedule 23:34 - 19 Tetor, 2021

A ka “vdekur” shoqëria civile në Shqipëri? Kjo ishte tema e emisionit mbrëmjen e sotme në “LOG” në “ABC” ku u diskutua për rolin e tyre. Por cilat janë kauzat e shoqërisë civile në vendin tonë? Sociologu Gëzim Tushi u shpreh se “kantieret” që duhet të intervenojë janë të shumta.

Mund të duket periferike, organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut për pakicat apo grupet periferike. Shumicat e kanë zërin e tyre. Komunitetet egjiptian, romë, homoseksualët, viktimat e prostitucionit. Problemet etnike, racore, etj, fronti është goxha i madh” tha sociologu.

Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes “MJAFT”, Aldo Merkoçi u shpreh se fokusi kryesor duhet të vendoset te arsimi. “Një nga problemet më të mëdha është arsimi. Dhe dekadenca e arsimit nuk ndodhet vetëm në nivelin e universiteteve, por edhe gjimnaze dhe 9-vjeçare. Dhe e dyta është çështja e mjedisit, jo në këndvështrimin e ngrohjes globale dhe së fundmi, kjo gjëja e organizatave që punojnë nga zyrat dhe bëjnë raporte nuk është e drejtë të anatemohet” tha Aldo Merkoçi.

Duke e rikthyer në rang politik, fajësimi nuk mungoi dhe veçanërisht një “kunj” për kryeministrin Edi Rama. “Kemi dy palë zgjedhje pa programe politike. Kryeministri zgjohet dhe thotë unë kam marrë votat dhe bëj cfarë dua dhe ka të drejtë dhe nuk ka garuar me asnjë dhe askush nuk i ka kërkuar asnjë prej këtyre liderëve, ore kush është plani, pikat kryesore” tha  Merkoçi.

Anëtari i “Qëndresës Qytetare”, Migen Qiraxhi gjithashtu vendosi arsimin në plan të parë duke e cilësuar situatën aktuale dramatike. “Shqiptarët janë duke marrë pjesë në funeralin e tyre në këtë situatë ku është katandisur vendi. Të rinjtë gjithnjë e më shumë po ikin. 18 mijë shqiptarë po arsimohen jashtë vendit, 15 mijë ka Serbia ka që ka popullatë më shumë se ne” tha ai.

Për Edlira Çepanin duhet t’i kushtohet rëndësi kontrollit të politikave dhe buxhetit të shtetit. “Duhet investuar te roli i saj si një grupim që kontrollon të gjitha politikat, buxhetet, si funksionon qeveria. E dyta aktivizmi te reagimi qytetar dhe e treta investimi te shoqëria civile te shërbimet. Të mos presim vetëm nga shoqëria civile për ndryshimet. Ne nuk duhet të presim që problemet të na i zgjidhë shteti, secili duhet të bëjë reagimin e vet” tha ajo.

Fondacioni i financuar nga Xhorxh Soros “Shoqëria e Hapur” në vitet e fundit në Shqipëria ka qenë në qendër të sulmeve nga Sali Berisha në veçanti dhe opozita në tërësi për reformën në drejtësi. Por me cfarë merret “Sorosi” sot në Shqipëri? Franc Tehirati nga Fondacioni “Shoqëria e Hapur” u shpreh se ndihma juridike është një pikë që i kanë kushtuar rëndësi në vitet e fundit duke shpalosur edhe disa nga arritjet.

Gërdeci ka qenë rasti kryesor që ka filluar punën programi dhe rezultatet e çështjes, jemi përpara 18 proceseve gjyqësore dhe deri tani janë ekzekutuar 3 mln dollarë dëmshpërblim për familjarët, ndërkohë që ka ende të tjera në proces, në pretendimin 2 mln dollarë. Disa çështje janë në fushën e shëndetësisë” tha ai.

Më tej, ai u ndal edhe te ndihma juridike online. “Aplikacioni “Juristi online” nga viti 2020 janë dhënë 3700 përgjigje që janë adresuar. Kushdo mund të përfitojë ndihmë juridike, por edhe duke regjistruar pyetjen dhe duke marrë përgjigjen brenda 24 orëve. Së fundmi kemi zhvilluar edhe një aplikacion për “Juristi online” dhe në cdo kohë mund të regjistrojë pyetjen dhe përgjigjet do i vijnë si njoftim. Platforma ka edhe një numër jeshil 08001010” tha ai./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!