Kategoria Superiore/ Të pesta sfidat luhen sot, Tirana dhe Partizani vazhdojnë “betejën” për kreun

schedule09:31 - 25 Maj, 2023

schedule 09:31 - 25 Maj, 2023

Kategoria Superiore është shumë pranë fundit dhe ende janë në lojë objektivat përkatëse.

Ditën e sotme, të gjitha skuadrat do të zbresin në fushë në orën 16:00 për të luajtur ndeshjen e javës së 35-të të sezonit.

Tirana do të luajë në Rrogozhinë ditën e sotme për t’u ndeshur me Bylisin. Bardheblutë luajnë vetëm për fitore dhe hapi fals nuk lejohet, madje ata shpresojnë që Partizani të shkelë bosh. Tre pikët për Tiranën do të thonin shumë, por sfida e sotme nuk do të jetë edhe aq shumë e lehtë pasi ballshiotët kërkojnë mbijetesën.

Qyteti i Elbasanit do të presë ndeshjen mes Kastriotit dhe Partizanit. “Demat e Kuq” ashtu si bardheblutë, kërkojnë që rivali i tyre të bëjë një hap të gabuar dhe sigurisht që të kuqtë kërkojnë vetëm fitoren. Por ashtu si sfida e Tiranës, edhe Partizani nuk do ta ketë të lehtë me krutanët pasi këta të fundit do të rrëzohen nga kategoria nëse kryeqytetasit e kuq do të fitonin.

Egnatia, e cila e ka siguruar Europën, luan në Durrës përballë Teutës. Kjo e fundit kërkon të parakalojë Vllazninë në renditje për t’u future gjithashtu në zonën europiane.

Një finale për Europën do të jetë dhe ajo mes Vllaznisë dhe Laçit, pasi dhe kurbinasit janë ende në lojë për të shkuar në Kupat e Europës.

Kukësi pret Erzenin në një finale për mbijetesë. Verilindorët do të shpëtonin automatikisht me një fitore, ndërsa shijakasit kërkojnë të shmangin zonën “play out” dhe t’i largohen Bylisit./ h.ll/abcnews.al

NDESHJET:

KASTRIOTI-PARTIZANI 16:00 (në Elbasan)

TIRANA-BYLIS 16:00 (në Rrogozhinë)

VLLAZNIA-LAÇI 16:00

KUKËSI-ERZENI 16:00

TEUTA-EGNATIA 16:00

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!