Vora e nisi me fitore vitin 2024 në Kategorinë e Parë, me skuadrën e Klodian Arbrit, që mposhti me rezultatin e thellë, 3-1 Luzin, duke regjistruar suksesin e tretë radhazi në kampionat.
Vendasit e mbyllën pjesën e parë në avantazh falë golit të Prengajt, me kavajasit e Luzit, që barazuan pas një ore lojë me anë të Trenit, ndërkohë që skenën më pas e mori Xhabrahimi, me 27-vjeçarin, që shënoi dy gola, duke vulosur fitoren e Vorës.
Falë kësaj fitoreje, Vora ngjitet në vendin e tretë me 33 pikë, 6 më pak se kryesuesit e Elbasanit dhe Bylisit, të cilët kanë zhvilluar një ndeshje më pak. Ndërkaq, sfida tjetër Besa-Burreli nuk prodhoi asnjë gol. Të dyja skuadrat nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës dhe ndanë nga një pikë. /i.m /abcnews.al