Kategoria e Parë vijon garimin, teksa për sot janë në plan të zhvillohen pesë ndeshje. Në grupin A debuton Partizani B, që do të përballet me Besëlidhjen dhe kjo sfidë do të transmetohet edhe në TV.
Oriku dhe Erzeni ndeshen mes tyre dhe kërkojnë pikët e para, ndërkohë që në fushë sot zbret edhe Veleçiku. Skuadra nga Kopliku përballet me Korabin. Për të dielën është programuar sfida Vora-Burreli.
Në grupin B, Egnatia-Lushnja është konsideruar ndeshja më e rëndësishme dhe është veçuar të luhet ditën e diel. Sigurisht ajo është edhe përballja që do të transmetohet në TV. Sot do të luhen dy sfida të tjera, duke pasur parasysh tërheqjen nga gara të Luftëtarit.
Në fushë do të zbresë Tomori, që pret në Berat skuadrën e Elbasanit. Ekipi i drejtuar nga Bledar Sinella luan sfidën e parë në kampionat, pasi javën e parë ishte pushim. Takim interesant është ai mes Besës dhe Pogradecit, që luhet sot prej orës 14:00. /abcnews.al