Çdo fillim e ka edhe një fund. Pas katër sezonesh si lider, Emiljano Çela largohet nga Kastrioti, ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.
Më shumë se 100 ndeshje mes Superiores dhe të Parës, tani Çela do të mendohet mirë për të ardhmen e tij në fushën e blertë. Nga Kastrioti, sikurse edhe ai vetë e thotë, largohet me kokën lart.
“Falënderoj presidentin Alban Vogli për miqësinë e mirë dhe mbështetjen gjithë këto vite që kam qenë pjesë e skuadrës së Kastriotit.
Largohem me kokën lart, pasi kam lënë miq dhe shokë shumë të mirë e mbi të gjitha me objektiva sportiv të realizuara.
Kam luajtur te Kastrioti më shumë për pasion se për lek dhe besoj se kam dhënë më shumë seç kam marrë”, ka thënë Çela mes të tjerash.
Mbrojtësi, i cili ka luajtur sa në të majtë dhe në qendër, ka një karrierë të gjatë në Superiore.
Ai ka qenë pjesë e Laçit dhe ka spikatur, madje duke shënuar edhe golin që u dha kurbinasve trofeun e parë të rëndësishëm, Kupën e Shqipërisë, në vitin 2013.
Futbollisti 36-vjeçar në Superiore është aktivizuar edhe me Korabin, Tomorin dhe Apoloninë. / abcnews.al