KAS rrëzon Celibashin/ I hap rrugë regjistrimit të PD në zgjedhje

schedule14:55 - 16 Mars, 2023

schedule 14:55 - 16 Mars, 2023

KAS rrëzon vendimin e Ilirjan Celibashit dhe i hap rrugë regjistrimit të PD në zgjedhjet e 14 majit.

Me 4 vota pro dhe vetëm një kundër, atë të Elvis Cefës, KAS pranuar që PD të regjistrohen në zgjedhje me specifikimin që dokumentet të firmosen sërish nga Enkelejd Alibeaj I cili të cilësohet jo si nën kryetar, por si kryetar I komanduar, apo si kryetar që po ushtron detyrën

Bashkë me vendimin e Celibashit për të mos regjistruar PD në zgjedhje, KAS rrëzoi sot edhe kërkesën e Sali Berishës, që pretendonte se mund të merrte të drejtën të regjistronte PD në emër të tij.

Kështu PD, mund të regjistrohet në zgjedhje me kryetar në fletën e votimit Enkelejd Alibeja. KAS ka pranuar të njohë kështu diferencën mes aktit publik të dorëheqjes së Bashës dhe faktit që ai për procedurë është kryetar në dokumente, duke detyruar Celibashin të pranojë regjistrimin e PD në emër të Alibeajt.

 

Arsyetimi i KAS:

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi dy kërkesat ankimore të depozituara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve:

  1. Kërkesa ankimore nr. 32 e depozituar nga Partia Demokratike e Shqipërisë me objekt “Shfuqizimi i vendimit nr. 172, datë 14.03.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e kërkesës së “Partia Demokratike”,për regjistrimin si subject zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14.05.2023” dhe regjistrimin si subjekt zgjedhor të Partisë Demokratike të Shqipërisë sipas kërkesës nr. 27, datë 05.03.2023 dhe dokumentacionit shoqërues të saj dhe të protokolluar në KQZ në datën 06.03.2023 me nr. 1337, të paraqitur në emër të PD nga përfaqësuesi z. Indrit Sefa;
  2. Kërkesa ankimore nr. 33 e depozituar nga Partia Demokratike e Shqipërisë me objekt “Kundërshtimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve nr. 172, datë 14.03.2023 dhe ndryshimin e vendimit duke vendosur regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë përfaqësuar nga kryetari Sali Berisha, si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

Në përfundim të shqyrtimit, KAS me shumicë votash vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore nr. 33 të ankuesit “Partia Demokratike”, përfaqësuar në seancë nga z. Ledio Nuraj dhe z. Franci Nuri. KAS me shumicë votash vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore nr. 32 të ankuesit “Partia Demokratike”, përfaqësuar në seancë nga z. Indrit Sefa dhe detyrimin e partisë “Partia Demokratike”, të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë si më poshtë vijon:

  1. Deklaratën sipas shkronjes “b” te pikës 2 te nenit 64 të Kodit Zgjedhor me të dhënat për nënkryetarin z. Enkelejd Alibeaj, në cilèsinë e kryetarit të komanduar të Partisë;
  2. “Deklaratën e angazhimit solemn” të nënshkruar nga nënkryetari z. Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë;

si edhe ndryshimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe detyrimin e Komisionerit të regjistrojë subjektin zgjedhor “Partia Demokratike” me kryetar nënkryetarin, z. Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!