TIRANË- Një ditë pas Gjermanisë, edhe Bashkimi Europian i nxori karton të kuq dhunës periodike të Sali Berishës.
Reagimi i Brukselit i bën thirrje Partisë Demokratike të largohet nga praktikat e dhunës dhe t’i rikthehet jetës normale në parlament dhe komisioneve të reformës.
Flamujt e BE dhe të Gjermanisë shoqëruan molotovët të dielën në protestë, por dy deklaratat e Berlinit dhe Brukselit janë një tjetër dush i ftohtë për Sali Berishën dhe partinë e tij.
Analisti i njohur Ergys Mërtiri, thotë se qëndrimet e ndërkombëtarëve janë mesazhe të qarta se ato nuk e mbështesin dhunën që Sali Berisha ushtron, në protestat e tij kombëtare.
Ai theksoi për emisionin “Tirana Live” se Berisha është i izoluar nga ndërkombëtarët dhe në këto kushte është absurde të mendosh që protestat e tij mund të rrëzojnë qeverinë.
“Ndërkombëtarët kanë dalë dhe kanë denoncuar dhunën, por kur implikohen flamujt në protestë, ata kujdesen që t’i përcjellin publikut dhe PD se ne nuk jemi mbështetësit tuaj. Berisha është i izoluar ndërkombëtarisht, është non grata, sepse as ambasadorët nuk shkojnë ta takojnë, madje nuk shkon ta takojë as ambasadori i Kosovës. Ai vazhdon të mbahet në izolim ndërkombëtar dhe ta rrëzosh qeverinë në kushtet e izolimit është krejt i pamundur”, theksoi Mërtiri.
Sa i takon debatit brenda Partisë Demokratike dhe përplasjeve mes Berishës dhe Ervin Salianjit, analisti thotë se Berisha është gati të “vrasë politikisht” çdo zë, i cili synon të bëjë opozitën e vërtetë në Shqipëri.
“Berishës i intereson nevoja për të mbajtur partinë. I intereson të mbajë elektoralin militant rreth vetes, që mos t’i largohet edhe ai. Atij i duhet të bëhet “vrasës i çdo zëri tjetër, që mund të bëhet opozitës e Ramës”, tha ai./abcnews.al


