Karta e Studentit, Veliaj: Studentët e Tiranës do të përfitojnë çdo shërbim, njëlloj si studentët evropianë

schedule16:15 - 8 Dhjetor, 2020

schedule 16:15 - 8 Dhjetor, 2020

Në Ditën Kombëtare të Rinisë, Bashkia e Tiranës nisi projektin më të ri të Kartës së Studentit, që është përfshirja e saj në platformën “European Student Card”, një standard i ri që është krijuar nga institucione të arsimit të lartë, për të promovuar lëvizjen studentore në Europë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se 70% e studentëve që jetojnë në qytetin e Tiranës tashmë e kanë kartën e studentit.

“Më vjen mirë që në përvjetorin e lëvizjes studentore, një student shqiptar sot ka një mjet identifikimi në rrjetin e Kartave Studentore Europiane, për ta përdorur atë në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Të gjithë ata cinikë që mundohen të gjejnë ndonjë shërbim që mund të duket periferik, do ishte ndoshta më e dobishme që atë energji ta përkthenin duke afruar të tjerë që ofrojnë një shërbim, se kështu ndihmojmë”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se Bashkia e Tiranës po transformon godinat studentore, të cilat deri dje zaptoheshin, ndërsa sot po shndërrohen në mjedise moderne.

“Kemi filluar punën me konviktet, së pari tek Universiteti Bujqësor. Vërtet sot kujtojmë 30-vjetorin e Lëvizjes Studentore, por përveç të mirave Lëvizja Studentore pati edhe mëkatarët e vet. Me “nenin Liri Demokraci” nuk merr dot licencë për të privatizuar konviktet. Në njëfarë mënyre u zgjidh, pasi ata që kishin zaptuar konviktet do të marrin apartamente sociale, ndërkohë që studentët do të kenë më në fund kampusin, i cili quhej i tillë, por kishte vite që nuk funksiononte. Kemi filluar disa kantiere me shkollat; një pjesë janë të Bashkisë, prej programit që kemi me Qeverinë Shqiptare dhe me Ministrinë e Arsimit, për bashkëfinancimin e shkollave që kishin nisur të ndërtoheshin përpara tërmetit. Më vjen mirë që jemi thuajse gati me tetë të parat”, tha Veliaj.

Me kartën e studentit, studentët aktualisht përfitojnë 660 shërbime me çmime të reduktuara, 84 në ente publike dhe 576 në subjekte private.

Me përfshirjen edhe në platformën e Kartës Studentore Evropiane, një standard i ri i krijuar nga IAL Europian, për të promovuar lëvizjen studentore në Evropë, studentët e Tiranës do të përfitojnë çdo shërbim që ofrohet në 20 vende dhe 184 institucione të arsimit të lartë dhe anasjelltas. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!