Karriera e legjendarit Thierry Henry, modeli perfekt i sulmuesit modern

schedule20:00 - 9 Prill, 2020

schedule 20:00 - 9 Prill, 2020

Shpejtësi, klas, potencë, fizikisht i pandalshëm dhe një goleador i lindur: Thierry Henry i kishte të gjitha. Ose më saktë, Thierry Henry u përshtat për t’i pasur të gjitha, pasi fillimi i karrierës së tij nuk ishte shumë i lehtë. Bomberi francez e nisi karrierën te skuadra e Monacos, aty ku kaloi të gjitha grup-moshat e Akademisë. Fizikun e kishte që në moshë të re: shtatlartë dhe vraponte me hapa galopantë.

 

Thierry Henry me fanellën e Monaco

Trajnerët në Francë e shihnin si sulmues krahu, për të shfrytëzuar në maksimum aftësinë e tij për të krosuar me dy këmbët dhe shpejtësinë që e karakterizonte. I suksesshëm deri diku, por golat i munguan. Megjithatë, ekipi i Juventusit i besoi dhe në janarin e vitit 1998 pagoi 12.5 milion euro për shërbimet e Henry, asaj kohe vetëm 20 vjeç. Te “Zonja e Vjetër”, gjashtë muaj për t’u harruar, me sulmuesin që nuk u përshtat aspak me futbollin italian.

 

Kur Henry luante te Juventus

Në verën e atij viti, filozofi i futbollit modern, Arsene Wenger, vendosi t’i besojë 20-vjeçarit francez dhe i pagoi Juventusit plot 16.1 milion euro për të siguruar kartonin e tij. Drejtuesit e bardhezinjve ishin të lumtur pas këtij transferimi, pasi përfituan gati 4 milion më shumë për një lojtar që vuajti në 6 muaj. Megjithatë, të qeshurën e fundit do e kishte Arsenali.

Sapo u transferua në Londër, Henry nisi rritjen e jashtëzakonshme: Arsyeja? Arsene Wenger nuk e shihte si sulmues krahu, por e spostoi në qendër, duke i vënë pas Denis Bergkamp dhe nga krahët e ndihmonin Freddie Ljumberg dhe Robert Pires.

Arsenali i fillim viteve 2000, ishte një nga skuadrat më të frikshme në botë, me Wenger që kishte ndërtuar një arsenal armësh, ndoshta inspiruar dhe nga emri i klubit, normalisht. Katër sulmuesit ishin një makth për çdo kundërshtar dhe Henry merrej vesh si me telepati me Robert Pires dhe Denis Bergkamp.

 

Thierry Henry duke festuar një nga golat e tij me Arsenalin (1999/2000)

Gola gjenialë, tituj të fituar, “Këpuca të Arta” dhe kandidat thuajse çdo vit për fitimin e “Topit të Artë”. Madje, është e pakuptueshme si një futbollist si Henry, nuk e ka fituar të paktën një herë këtë çmim prestigjioz individual. Gjithsesi, sulmuesi francez shpeshherë pranonte në prononcime se trofetë individualë janë në plan të dytë dhe synonte vetëm të fitonte trofe me Arsenalin, me klubin që i besoi gjithçka dhe që e bëri edhe kapiten.

Statistikat e Henry flasin vetë: Katër herë golashënuesi më i mirë në Premier League, në sezonet 01/02, 03/04, 04/05, 05/06. Plot tetë herë futbollisti më i mirë i vitit: Tre herë futbollisti më i mirë në Angli dhe pesë herë futbollisti më i mirë francez. Henry ka fituar dhe Kupën e Botës me Francën, në vitin 1998, si dhe arriti në finalen e Botërorit 2006, ku “Gjelat” u mposhtën me penallti nga Italia, sfidë që do të mbetet gjithmonë në memorien e futbolldashësve për shkak të goditjes me kokë të Zidane ndaj Materazzit. Me Francën, bomberi ka fituar dhe një Europian, atë të vitit 2000.

Henry është shpallur edhe dy herë si futbollisti më i mirë i sezonit në Premier League (02/03 dhe 03/04). Sukseset me Arsenalin nuk mbarojnë këtu, pasi në kabinetin e Henry janë dhe dy Superkupa të Anglisë, ose të njohura në ishull si Community Shield (2002 dhe 2004). Në maj të vitit 2006, Henry kishte dhe një premtim të fundit për tifozët e Arsenalin, fitimin e Champions League, diçka që klubi londinez nuk e ka fituar kurrë në historinë e klubit.

Përballë Barcelona: Arsenali në avantazh me anë të mbrojtësit Campbell, me Henry që asistoi me krosimin e tij. Me shiritin e kapitenit në krah, francezi bëri një ndeshje të shkëlqyer, duke terrorizuar i vetëm mbrojtjen katalanase. Por, nuk ishte e thënë… Barcelona përmbysi gjithçka me anë të golave të Eto’o dhe Belleti, me Arsenalin që u largua me një medalje ku shkruhej numri 2. Premtimi nuk u mbajt nga Henry, i cili u largua me lot nga stadiumi.

 

Zhgënjimi i Thierry Henry pas finales së humbur kundër Barcelonës (Champions League, 2006)

Në korrik të vitit 2007, një tjetër udhëkryq në karrierën e Henry. Vetëm 1 muaj pa mbushur 30 vjeç, kapiteni i “Topçinjve” zgjodhi të largohej nga “Emirates Stadium”, për t’iu bashkuar ekipit të Barcelonës. Tifozëve të Arsenalit iu largua idhulli i tyre, kapiteni i tyre, legjenda e tyre… Lot dhe dëshpërim në Londër, ndërsa në Katalonjë, tifozët “Cules” i prezantuan me një lojtar të madh, që kishte fituar gjithçka dhe ishte transferuar në Barcelonë për të ndjekur pengun e vetëm në karrierë, Champions League.

Henry ishte fenomenal në sulmin e Barcelonës, duke luajtur në krahun e majtë, me Messin si numër 9 fals. Gola në La Liga, gola kundër rivalëve të përjetshëm të Real Madrid, gola të rëndësishëm në Kupën e Spanjës dhe gola edhe në Champions League, trofe që e kërkonte medoemos. Kombinime të shkëlqyera me Messin dhe Henry po shkëlqente, duke kaluar një rini të dytë. Jo shumë punë, thjesht qëndronte në krah dhe futej në qendër me hapat e tij karateristikë, aty ku Messi e gjente thuajse në 100% të rasteve.

 

Henry ka dhe një histori shumë interesante, që e rrëfeu shkurtimisht disa vite më parë. “Kur isha te Barcelona, Guardiola gjithmonë më thoshte të rrija në vijën anësore, vetëm aty. Dhe kur të vinte momenti i duhur, të vrapoja pas shpinës së kundërshtarit. Mbaj mend që po luanim një ndeshje të La Ligas, po fitonim 5-0. Messi dhe pjesa tjetër e skuadrës, po bënin qejf me pasime të shkurtra dhe unë e braktisa pozicionin tim për të prekur disa herë topin. Guardiola më zëvendësoi direkt. Kur e pyeta pse, më tha që nuk kisha qëndruar në pozicionin tim”.

Rreptësi e paprecedentë e Pep Guardiolës, i cili pati ndërtuar ndoshta ekipin më të mirë të gjitha kohërave në krye të Barcelonës. Në sezonin e dytë me katalanasit (08/09), Henry arriti të fitojë trofeun e vetëm që i mungonte, Champions League. Katalanasit mposhtën pastër 2-0 Manchester United të Alex Ferguson dhe Cristiano Ronaldo, duke ngritur trofeun me veshët e gjatë. Henry e kompletoi misionin dhe karriera e bomberit francez u bë një ndër më të suksesshmet.

 

Dita kur Thierry Henry kompletoi një karrierë të jashtëzakonshme (fitues i Champions League, 2009)

Në qershor të vitit 2014, Henry iu bashkua skuadrës amerikane në MLS, New York Red Bull. Në Amerikë francezi i kishte të gjitha: Paratë, jetën luksoze dhe shiritin e kapitenit në ekip, aty ku shihej si lider nga të gjithë pjesëtarët e klubit. Gjithsesi, diçka e pengonte dhe Henry nuk ndihej mirë te klubi amerikan. Egoja e tij nuk e lejonte të mos provonte edhe një herë një aventurë tek Arsenali, aty ku u rikthye si i huazuar për 6 muaj në janar të vitit 2012.

Gol që në ndeshjen e parë kundër Leeds në FA Cup dhe i dha fitoren Arsenalit me rezultatin 1-0, një gol legjendar, një moment legjendar. “Emirates Stadium” nuk kishte shijuar kurrë ashtu atmosfere, por Henry çoi në peshë të gjithë stadiumin. Henry vari këpucët në gozhdë në vitin 2015, duke i lënë pas botës së futbollit modelin perfekt të sulmuesit modern. Gjeniu i sulmit, ka lënë pas momente gjeniale dhe të paharrueshme. Faleminderit Thierry! / Veronik Istrefaj – Abcnews.al

 

Henry u tërhoq nga futbolli në vitin 2015…

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!