Kardiologia nga Kosova që sfidon mentalitetin e pacientëve shqiptarë

schedule15:48 - 24 Shkurt, 2019

schedule 15:48 - 24 Shkurt, 2019

Ajo është kardiologe dhe në Shqipëri po përballet me një sistem shëndetësor krejtësisht të ndryshëm nga Kosova. Fatmira Rexhepi Alla po sfidon mentalitetin e pacientëve shqiptarë, duke punuar në kushtet e mungesës së aparaturave mjekësore dhe kulturës së analizave periodike. 

Nga Kosova prej gjashtë muajesh punon në spitalin e Lushnjes. Këtu ka gjetur njeriun e jetës dhe kujdeset për zemrat e sëmura të pacientëve. Fatmira Rrexhepi Alla është kardiologe. Mungesa e specialistëve në spital tërhoqi vëmendjen e mjekëve jashtë kufijve. Por ajo po shikon një tjetër sistem pune krahasuar me praktikën në Kosovë. Ndryshimet janë të dukshme nga lista e barnave dhe deri tek qasja ndaj pacientëve.

Fatmira Rexhepi Alla: Përshtypjet nuk janë krejt të mira, sepse unë kam punuar në një sistem krejt tjetër në kushte shumë të tjera dhe më të favorshme. Ajo që më shqetëson është që këtu ka një listë të barnave që quhet listë esenciale, të cilën e përdorin dhe kërkojnë nga mjeku specialist që gjithmonë t’i përgjigjen asaj liste, kurse sot në kohën bashkëkohore sëmundjet kardilogjike trajtohen sipas rekomandimeve që jep organizata europiane.

Pas dy viteve pune në Kosovë, gjashtë muajt në Lushnje e kanë ndryshuar jetën e saj. Thotë se bashkëpunimi mes kolegësh është një tjetër gjë që duhet të funksionojë më mirë në sistemin tonë shëndetësor. Fatmira trajton të gjitha llojet e sëmundjeve të tjera përveçse ato të zemrës. Kjo mënyrë pune ngarkon mjekun specialist pasi pacientët me sëmundje të ndryshme adresohen tek ajo.

Fatmira Rexhepi Alla: Bashkëpunimi midis kolegësh ka qenë më i mirë. Ndoshta nganjëherë kjo has në vështirësi sepse kanë qenë vlerat e nalizave ose ndryshimet radiologjike kanë qenë krejt për një sëmundje tjetër dhe në fund je thirrur për konsultim ti dhe ta çosh pacientin në shtëpi në këtë gjendje s’ka qenë e mundur. Kurse pacienti nuk ka qenë me të gjitha problemet vetëm për mua, por unë asnjëherë nuk e kam bërë që pacientin ta dërgoj në shtëpi edhe pse gjendja ka qenë e tillë. Fatmirësisht më ka ndihmuar fakti që jam interniste dhe kam përgatitje për të trajtuar sëmundjet e tjera.

Brenda tetë orarëshit vizitohen mbi 30 pacientë dhe shifra është tepër e lartë për një mjek. Gjatë gjithë kohës, Fatmira mban të vendosur maskën mbrojtëse.  Rreziku i marrjes së infeksioneve e detyron ta vendosë sapo del nga shtëpia. Vizitat gjatë natës për një kardiolog nuk kryhen në Kosovë, kurse  këtu, ajo thirret orar pa orar. Kjo gjë nuk i pëlqen Fatmirës.

Fatmira Rexhepi Alla: Punojmë goxha shumë gjatë ditës dhe të them të drejtën këtu kardiologu është tepër i ngarkuar sepse ka dhe thirrje shumë natën. Unë kam punuar me një sistem që kardiologu nuk thirret natën, sepse në sistemin që kam punuar unë, mjeku internist i ka bërë të gjitha këto punë. Është paksa abuzim me rolin e kardiologut sepse gjithonë kur haset me vështirësi, kur mendojnë se nuk ka zgjidhje, mendojn se kardiologu është ai që e rregullon këtë gjë.

Mbi 32 mijë pacientë me probleme të zemrës janë të kartelizuar në spitalin e Lushnjes. Vetëm dy mjekë janë në dispozicion të tyre, çka e vështirëson kryerjen e shërbimit 24 orësh. Ndërsa një kardiologe është gjetur nuk thuhet e njëjta gjë për 10 specialitetet e tjera të munguara në spital. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!