Një 37-vjeçar është ndaluar këtë të martë në Krujë, pasi është kapur me armë sportive dhe lëndë narkotike të dyshuar kokainë në automjet.
Pas verifikimeve të kryera nga policia, ka rezultuar se 37-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, që ia kishte caktuar Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë vijuar kontrollet intensive në terren, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë.
Si rezultat i këtyre kontrolleve u kap ndërkohë që drejtonte automjetin dhe ndalua, shtetasi 37 vjeç, banues në Kukës, të cilit gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një armë sportive dhe sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se 37-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, që ia kishte caktuar Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.“, thuhet në njoftimin e policisë. /abcnews.al