6.5 kg kokainë janë kapur në portin e Durrësit ditën e sotme. Raportohet se sasia e kokainës është kapur në kuadër të operacionit “Radar”, ku 10 ditë më parë u sekuestrua një tjetër sasi kokaine, prej 11.7 kg të fshehura në kontejner. Mësohet se kontejnerët ku është kapur kokaine vinin për llogari të kompanisë “Alba Exotic Fruit”.
Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit ka ushtruar kontroll të imtësishëm në 10 kontenierë për llogari të kësaj kompanie, ku si rezultat në një nga kontenierët u gjetën dhe u sekuestruan 6.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.
Kujtojmë se lidhur me këtë operacion prapa hekurave është vendosur Bajron Gumeni, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i kompanisë Eduart Dauti. Po ashtu në pranga ka rënë edhe një punonjës, Jurgen Osman. Sipas informacioneve, ngarkesa ishte nisur më 8 korrik nga porti i Pireut dhe ka mbërritur në Porin e Durrësit në 11 korrik. Ngarkesa me banane vinte nga Ekuadori.
Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencë për dosjen hetimore të kokainës që u kap në Portin e Durrës disa ditë më parë. Dosja hetimore për 11.6 kg kokainë që u kapën në një kontejner me banane në Portin e Durrësit i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.
Njoftimi:
Port, Durrës – Vijon operacioni policor i koduar “Rada”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën trafikimit të lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit “Rada” të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675 gr. lëndë narkotike kokainë, dhe veprimeve hetimore të kryera më datë 17.07.2021, ku në Port u konstatuan të hapur dy kapakë të njërit prej kontenierëve për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, tjetër sasi kokaine është sekuestruar pasditen e sotme.
Në vijim të operacionit “Rada” pasditen e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit është ushtruar kontroll i imtësishëm në 10 kontenierë për llogari të kësaj kompanie, ku si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në një nga kontenierët u gjetën dhe u sekuestruan 6.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.
Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e një grupi të posaçëm prokurorësh të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe të SPAK-ut.
Në nisje të operacionit, më datë 13.07.2021, është arrestuar në flagrancë shtetasi B. G., (menaxheri i firmës) dhe është shpallur në kërkim administratori i firmës, shtetasi E. D.
/abcnews.al/