Kaosi në Gaza/ Perëndimi thirrje për vetëpërmbajtje

schedule21:52 - 14 Maj, 2018

schedule 21:52 - 14 Maj, 2018

Perëndimi ka reaguar në lidhje me aktet e dhunës në Gaza, duke u bërë thirrje palëve për vetëpërmbajtje. Kryeministri Netanyahu ka deklaruar se është e drejta e Izraelit të vetëmbrohet, ndërsa kreu i Al Kaedës ka apeluar për xhihad kundër Amerikës.

Faktori ndërkombëtar ka reaguar në lidhje me aktet e dhunës në Gaza që u morën jetën mbi 50 personave dhe plagosën mbi 2.400 të tjerë. Një numër i konsiderueshëm shtetesh perëndimore, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar bënë thirrje për përmbajtje. Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini deklaroi se palët duhet të vetëpërmbahen për të shmangur humbje të jetëve të tjera. Qeveria gjermane ndërkohë njohu të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, por theksoi se shteti hebre duhet ta bëjë atë në përpjestim të drejtë me kërcënimin. Një nga reagimet më të fuqishme erdhi nga Komisioneri i OKB për të Drejtat e Njeriut, Zeid Raad al Husein, që i cilësoi “shokuese” vrasjet dhe plagosjet e njerëzve nga zjarri izraelit. Por kryeministri Benjamin Netanyahu reagoi duke thënë se, çdo shtet ka të drejtë të mbrojë kufijtë e tij dhe theksoi se, synimi i Hamas është të shkatërrojë Izraelin. Nga ana tjetër, lideri palestinez Mahmoud Abbas dënoi ato që i quajti “masakrat ndaj popullit tonë” dhe shpalli tre ditë zije. Ndërsa kreu i Al Kaedës, Ajman al Zauahiri apeloi për luftë të shenjtë kundër Amerikës dhe Izraelit dhe ftoi myslimanët të marrin armët. “Me zhvendosjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem, presidenti i Shteteve të Bashkuara ka zbuluar fytyrën reale të kryqëzatave moderne. Me të nuk funksionon paqja, por vetëm rezistenca përmes xhihadit”, tha Al Zauahiri në një video. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!