Kaosi në aeroportet europiane mund të zgjasë me ditë

schedule10:12 - 29 Gusht, 2023

schedule 10:12 - 29 Gusht, 2023

Mijëra pasagjerë hasën probleme pas raportimeve për vonesa dhe anulime me orë të tëra për shkak të një “problem teknik” që goditi sistemet e kontrollit të trafikut ajror në Britani dhe Itali.

Pasagjerët mbetën në aeroporte në qytete në të gjithë Europën të hënën pasi Shërbimet Kombëtare të Trafikut Ajror kufizuan fluturimet. Në total, u prekën rreth 85 fluturime  të planifikuara përmes  aeroporteve në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa 150 fluturime për dhe nga aeroportet greke që fluturojnë mbi hapësirën ajrore italiane u vonuan.

Problemi në Itali vlerësohet të ketë prekur gjithsej mbi 500 fluturime. Linjat ajrore dhe aeroportet paralajmëruan se kishte ende “vonesa të konsiderueshme”, pavarësisht se problemi u rregullua brenda disa orësh.

Një pasagjere  tha për BBC News se avioni i saj i planifikuar pasdite nuk pritej të nisej para mesnatës. Madje ka pasur paralajmërime se ndërprerja mund të zgjaste me ditë.

Heathrow tha se shërbimet janë ndërprerë ndjeshëm, duke shtuar se ata që udhëtojnë të martën duhet të kontaktojnë linjën e tyre ajrore përpara se të shkojnë në aeroport.

Aeroporti Gatwick tha se planifikonte të operonte normalisht të martën, megjithatë, ai këshilloi pasagjerët të kontrollonin fluturimet me kompaninë e tyre ajrore përpara se të udhëtonin në aeroport.

Aeroporti Luton i Londrës njoftoi gjithashtu të hënën në mbrëmje se fluturimet në hapësirën ajrore britanike ishin ende subjekt i vonesave dhe anulimeve dhe pasagjerët duhet të kontrollojnë fluturimet duke kontaktuar linjën e tyre ajrore.

Shërbimi Kombëtar i Trafikut Ajror konfirmoi defektin pak pas mesditës të së hënës, përpara se të njoftonte në orën 15:15 se kishte identifikuar dhe rregulluar problemin.

Siç është paralajmëruar “do të duhet pak kohë që fluturimet të kthehen në nivelin normal”. British Airways tha se kishte “vonesa dhe anulime të rëndësishme dhe të pashmangshme” dhe kërkoi falje për shqetësimin e shkaktuar.

Ryanair tha se ishte detyruar të vononte ose anulonte fluturimet dhe Jet2 tha se  priten vonesa të konsiderueshme në të gjitha fluturimet e saj drejt dhe nga Mbretëria e Bashkuar.

Ai shtoi se pasagjerët në fluturimet e së martës duhet të vijnë në aeroport si zakonisht, përveç nëse njoftohet ndryshe.

“Dhimbja e kokës” vazhdon për linjat ajrore, megjithatë, me shumë paralajmërime se diçka e tillë do të zgjasë deri në fund të kësaj jave.

Cirium, një ofrues i të dhënave të aviacionit, tha se 3,049 fluturime ishin planifikuar nga aeroportet e Britanisë të hënën dhe 3,054 fluturime të tjera ishin planifikuar të mbërrinin.

Që nga ora 14:30, të dhënat e tij treguan se 232 fluturime dalëse ishin anuluar, të cilat sipas tij përbënin 8% të të gjitha nisjeve dhe 271, ose 9% të fluturimeve përbrenda.

Sekretari i Transportit Mark Harper këshilloi “pasagjerët të kontaktojnë linjën e tyre ajrore për informacione të përditësuara të fluturimit” dhe tha se do t’i inkurajonte pasagjerët të lexojnë udhëzimet nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Britanisë për të ditur të drejtat e tyre kur fluturimet vonohen ose anulohen.

Ndikimi politik

Dështimi i kontrollit të trafikut ajror shkaktoi ndërhyrjen e Liberal Demokratëve të Britanisë, të cilët i kërkuan kryeministrit të mblidhte komitetin e reagimit ndaj urgjencës Cobra.

Laburistët e përshkruan incidentin si “jashtëzakonisht shqetësues”.

Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman , duke komentuar dështimin e sistemit të kontrollit të trafikut ajror, tha se kuptonte “çdo shqetësim që mund të përjetojnë pasagjerët”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!