Kaosi me listat, Vetëvendosje nuk tërhiqet, 2 problemet nëse rrethohet Kurti në fletën e votimit

schedule19:30 - 4 Shkurt, 2021

schedule 19:30 - 4 Shkurt, 2021

Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit me risi, debate dhe të panjohura.

E ndërsa fushata për këto zgjedhje është ndryshe nga të tjerat për shkak të pandemisë, pasi nuk lejohen grumbullimet, edhe pse masat janë thyer në shumë raste, debati kryesor është te fleta e votimit.

Por ku qëndron problemi?

Vendim i Gjykatës Supreme e nxori jashtë listës së kandidatëve për zgjedhjet kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa zyrtarë të kësaj partie për shkak se ende nuk e kanë përfunduar dënimin.

Por Kurti dhe Vetëvendosje e kanë bërë të qartë që nuk do të heqin dorë duke deklaruar se lista e tyre nuk ndryshon, do të ketë 110 kandidatë.

Fleta e votimit

Fleta e votimit në anën e majtë ka logon e partive dhe në të djathtën numrin e kandidatëve. Zëdhënësi i KQZ-së në Kosovë Valmir Elezi në një prononcim për gazetaren Linda Karadaku sqaron procesin e votimit.

KQZ ka miratuar fletën e votimit për zgjedhjet e 14 shkurtit. Fleta e votimit ka dy pjesë, në anën e majtë partitë politike, në të djathtën kandidatët për deputetë. Fletëvotimet nuk janë të personalizuara për kandidatët, pasi janë 110 numra, 110 kandidatët janë të lidhura me partitë në anën e majtë” tha ai për ABC.

Dy problemet

Por çfarë ndodh nëse qytetarët do të votojnë në anën e majtë emrin e partisë, konkretisht Vetëvendosjen dhe në të djathtën numrin 1, në kushtet kur Albin Kurtit që printe fletën e votimit i është ndaluar kandidimi?

Janë dy probleme, e para nëse njerëzit do të votojnë për Albin Kurtin pavarësisht se nuk është në fletën e votimit, nëse do të rrethohet numri 1 nuk do të merret parasysh dhe e dyta rrezikon që fleta e votimit të jetë e pavlefshme.

Çfarë do të ndodhë? E ndërsa drejtësia u shpreh, tani e ka fjalën vetë lideri i Vetëvendosjes për të sqaruar qytetarët, pasi rrezikon që shumë fletë votimi të dalin të pavlefshme./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!