Kaos te Onkologjiku, pacientë e familjarë në radhë: Krahas sëmundjes rrezikojnë e të infektohen

schedule16:50 - 7 Janar, 2021

schedule 16:50 - 7 Janar, 2021

Nga Ema Shazivari 

Pamjet që shihni janë nga spitali Onkologjik në QSUT ku çdo ditë ka radhë të shtuara qytetarësh. Kryesisht, problematikën më të madhe e kanë ata që vijnë nga rrethet. Këta të fundit ankohen se duhet të presin me orë të tëra për një kimioterapi apo konsultë.

“Presim. Thonë që brenda ka njerëz të tjerë. Nuk është se ka një orar dhe e zbatojnë këta,” thotë një prej tyre.

Ky qytetar ka vëllain i cili merr vazhdimisht kurim pranë këtij spitali. Ankohet se gjithmonë i duhet të nxjerrë të njëjta dokumente.

” Për një orë punë…ai është në kemp njëvjeçar, me disa operacione në Greqi. Nuk e marr vesh se çfarë vizite i bëjnë këta. Vëllai është i sëmurë sa mezi rri, vjen me taksi çdo muaj nga Kuçova.”

Seancat e kimioterapisë janë më problematiket. Çdo 21 ditë, kjo qytetare nga Elbasani vjen në Tiranë për të bërë kurën. Krahas problemeve të sëmundjes duhet të përballet edhe me stresin që i shkakton pritja e gjatë.

“Nuk hapet dot një qendër që të hynë për kimio 50 veta, të ketë dy dhoma. Po pres unë kur të mbarojë ajo në orën 12, të hy në orën një kur të marr ilaçet, e të rri këtu, në orën 5 kur të vete në Elbasan…”

Sapo në hyrje të spitalit shfaqet koordinatorja, të gjithë nxitojnë drejtë saj. Për shkak të fokusimit te pandemia Covid-19, shumë pacientë e familjarë të tyre ankohen për mungesë të shërbimit nga ana e mjekëve.

Pritja në radhë, këtyre pacientëve me kancer mund t’u rrezikojë jetën. Grumbullimet e shumta dhe mos respektimi i masave para spitaleve mund të shkaktojë infektimin me Covid. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!