Kaos në Kuvendin e Kosovës/ Opozita akuza të rënda qeverisë Kurti për kontratat njëburimore

schedule13:16 - 14 Mars, 2024

schedule 13:16 - 14 Mars, 2024

Një situatë kaotike është krijuar në kuvendin Kosovës, i cili është mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme, ku pika e rendit të ditës është “shqyrtimi i Propozim-rezolutës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti”.

Opozita ka theksuar se janë diku mbi 350 tenderë që janë dhënë me procedurën njëburimore. Ata kanë shtuar se kontratat njëburimore janë burim i korrupsionit, derisa kanë kërkuar që të njëjtat të hetohen nga Prokuroria e Kosovës.

Si pasojë, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje është larguar nga seancën e thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës “për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti”.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i konsideroi të gjithë deputetët që u larguan nga salla “hajna”.

“Më vjen keq, por të gjithë ata që sot këtu nuk janë prezent janë hajna. Këtë fjalë nuk e kam përdorur derisa ju LVV-ja keni ardhur në pushtet. Po na detyroni që të shprehemi me një gjuhë të tillë edhe pse ju e keni bërë këtë gjë 15 vjet sa keni qenë në opozitë.

Po të mos ishin të tillë, ata do të ishin prezent”, u shpreh Bajrami, derisa iu kërkoi falje dy deputetëve të LVV-së, Visar Korenicës dhe Eman Rrahmanit të cilët qëndruan në sallë për të diskutuar për kontratat njëburimore.

Më pas, nga salla u largua edhe drejtuesja e kësaj seancë të jashtëzakonshme, njëherazi deputete e LVV-së, Saranda Bogujevci.

Ajo tha se “derisa unë i përkas grupit të cilit qenkemi hajna, më vjen keq por nuk mund të jem pjesë e këtij debati me fjalë ofenduese./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!