Një 49-vjeçar është arrestuar nga policia e Korçës, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta ka kanosur me armë zjarri një shtetas.
Shtetasi J.P, banues në Korçë, kanosi një 50-vjeçar, në lokalin e këtij të fundit.
Gjatë kontrollit të ushtruar, 49-vjeçaritiou gjet dhe sekuestrua një armë zjarri dhe një sasi municioni luftarak.
Njoftimi i policisë:
Korçë
Kanosi me armë zjarri, një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, vihet në pranga 49-vjeçari me precedent të mëparshëm penal.
Sekuestrohet arma e zjarrit tip pistoletë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 15, Korçë, në një lokal, një shtetas kishte kanosur me armë zjarri pronarin e lokalit, gjatë një konflikti midis tyre, kanë organizuar punën me qëllim kapjen e autorit të dyshuar. Si rezultat i veprimeve të mirëkoordinuara u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– J. P., 49 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Ky shtetas dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë zjarri një 50-vjeçar, në lokalin e këtij të fundit. Në vijim të veprimeve për këtë rast, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e 49-vjeçarit J. P., u gjetën një armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.r.t/abcnews.al