“Kanë nxjerrë familje në rrugë, asnjë zgjidhje” (Video)

schedule09:14 - 17 Tetor, 2019

schedule 09:14 - 17 Tetor, 2019

Këtë të enjte vijoi aksioni i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për prishjen e banesave në zonën e Shkozës. Banorët kundërshtojnë prishjen e shtëpive pa marrë dëmshpërblim më parë.

Për televizionin ABC News, ata shprehen se para disa muajsh janë prishur disa banesa, por familjet e prekura kanë mbetur në rrugë pa mbështetje.

“Katër anëtarë kam në banesë, dhe na kanë njoftuar para 10 muajsh. Njoftimi është që nuk jemi përjashtuar nga procesi i legalizimit dhe prej asaj kohe ne jemi në tension. Kanë prish para 9 muajsh 3 shtëpi. Kanë nxjerrë në rrugë familje pa mbështetje. Çdo moment rrezikohem, por dihet që edhe e imja do shkojë si të tjerat”, tha një banor i cili preket në mënyrë të drejtpërdrejtë nga projekti për devijimin e lumit të Lanës.

Banori shprehet se nuk është kundër projekteve, por nuk kanë marrë asnjë zgjidhje nga institucionet shtetërore.

“Asnjë zgjidhje. Nuk jemi kundra projekteve, por sipas meje duhet të vinte bashkia dhe të më thotë që duhet të shkosh në këtë vend, ose do marrësh kaq lekë qiraje, që nuk ka ndodh në asnjë rast. Komplet në rrugë të madhe. Ne kemi shkuar në të gjitha institucionet shtetërore prej nëntë muajsh dhe absolutisht asnjë zgjidhje nuk kemi gjetur”, tha ai.

Sipas IKMT-së rreth 15 shtëpi janë parashikuar të prishen si pasojë e devijimit të lumit të Lanës. Ndërkohë, mësohet se sot në zonën e Shkozës ndodhen edhe forca të shumta policie./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!