Roland Bejko e ka cilësuar kandidimin për kryetar të Bashkisë së Tiranës si vendimin më të drejtë që ka marrë. Gjatë fjalës së tij përpara demokratëve në hapjen e fushatës elektorale, Bejko tha se nuk mund të pranonte që demokratët të përfaqësoheshin nga një person non grata.
“Dua tu them të gjithëve se ndihem i nderuar dhe i respektuar si kandidat i Tiranës për PD. Këtë dashamirësi, Tirana dhe tiranasit e kanë shprehur me të gjithë shqiptarët ngado që kanë ardhur dhe kanë ndërtuar familjen këtu. Këtë kandidim e ka pranuar me bindjen dhe mbështetjen dhe kandidimi është vendimi më i duhur dhe i drejtë që kam marrë në vendimmarrjen politike dhe kjo për disa arsye. Së pari sepse ka të bëjë me karakterin tim. Nuk i iki vështirësive, betejave dhe demokratëve. Asnjëherë në jetën time 33 vjeçare brenda PD nuk jam stepur në sfidat dhe vështirësitë që ka kaluar PD.“, tha Bejko.
Më pas ai renditi edhe disa arsye se pse ka marrë këtë vendim. Sipas tij, nuk mund ta pranonte faktin që demokratët të përfaqësoheshin nga një ‘non grata’.
“Si mund të pranonim unë dhe ne të gjithë që demokratët në Tiranë të përfaqësoheshin nga një non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, i izoluar nga politika perëndimore si Berisha. S’mund të përfaqësoheshim nga një socialist si Ilir Meta. Demokratët s’e meritojnë një poshtërim të tillë. Jam në këtë garë për të shpëtuar nderin e PD që të mos rëshkasë në duart e një autokrati lindor dhe në dorën e Ilir Metës.”, tha Bejko./abcnews.al