“Messi qëndron nëse Bartomeu largohet”, këto janë fjalët e kandidatit për president të Barcelonës, Victor Font. Mesazhi i tij është i qartë dhe kërkon largimin e menjëhershëm të presidentit aktual.
Zërat për një largim të mundshëm të lojtarit sa vijnë dhe shtohen, ndërkohë që drejtuesit dhe tifozët kërkojnë që ai të qëndrojë të paktën dhe një sezon. “Nëse ka ndonjë shans që Messi të qëndrojë, sado i vogël të jetë ai, është nëpërmjet dorëheqjes së Bartomeut.
Leo ka njëzet vite që është këtu dhe marrja e këtij vendimi tregon qartë se sa i zhgënjyer është nga klubi. Bordi drejtues mori një goditje të madhe pas humbjes 8-2 kundër Bayernit, por goditja e vërtetë qenka kjo. Nëse ai largohet atëherë kjo do të mbahet mend gjithmonë në CV-në e tyre,” deklaron spanjolli në Radion “Onda Cero”.
“Messi është një legjendë e Barcelonës dhe nuk mund ta imagjinoj që largimi i tij të përcaktohet nga gjykatat. Shpresoj për të mirën e klubit që ne të dimë si të sillemi me largimin e tij. Vendimi i Leos për t’u larguar jam i sigurt që nuk ka ardhur nga humbja në Lisbonë. Ne kishim kohë që e kishim paralajmëruar diçka të tillë,” mbyll Font. /abcnews.al