Kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit nga radhët e Nisma, Zafir Berisha ka deklaruar se gjatë muajit mars dhe prill të vitit të ardhshëm do të rrëzohet Qeveria Kurti.
I ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin, ai ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka ditur të qeverisë dhe kështu do të krijohen rrethanat që në pranverë të kemi përsëri zgjedhje.
Sipas tij, Kosova është në gjendje kaotike, Qeveria nuk po dinë se si të menaxhojë situatën me pandeminë, e po ashtu nuk ka emëruar ende ambasadorët.
“Nuk din me qeverisë dhe besoj që kanë me u kriju rrethanat që në pranverën e hershme me pas edhe zgjedhje. Qeveritë nga shpallja e pavarësisë asnjëherë nuk e kanë zgjat mandatin deri në fund, edhe kjo s’ka me zgjatë edhe kjo besoj kah marsi prilli shkon në shtëpi. Numrat nuk qeverisin. Shikoje gjendjen kaotike që e ka përfshirë Kosovën, mosdija me menaxhu me situatën në të cilën jeni, ku ke pa në botë shteti me mbet pa ambasadorë. Këtë vetëm infantilët politikë mundem me e bo, siç janë tu e bo. Imagjino ne çfarë përpjekje kemi bërë për me pas shtet me pas institucione, tani me ardh momenti që në Australi mos me pas kujt me ja dhënë çelsat e ambasadës”, ka shtuar ai.